Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka kërkuar angazhim më të madh institucional dhe diplomatik lidhur me Gjykatën Speciale.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Nura theksoi se kjo çështje duhet të jetë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm dhe të koordinuar shtetëror, e jo të mbetet vetëm në nivel të deklaratave publike.
“Gjykata Speciale na është imponuar për gjykimin e Kosovës dhe të krenarisë së saj. […] Me të drejtë kërkojmë nga të gjitha institucionet e vendit që Gjykatën Speciale ta kenë në fokusin kryesor të angazhimit të tyre. Duhet mobilizim institucional dhe përgjegjësi shtetërore. Kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm temë e deklaratave publike, por duhet të jetë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm dhe të koordinuar”, tha Nura.
Ai kërkoi që Ministria e Punëve të Jashtme ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet diplomacisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
“Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, theksoi ai.







