Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë të enjten në konferencën “Roli dhe rëndësia e rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, e organizuar me rastin e 26-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Sipas njoftimit të Presidencës, në fjalën e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se Avokati i Popullit përfaqëson zërin e qytetarëve dhe është mbrojtës i të drejtave dhe lirive të tyre.
Ajo ka deklaruar se në një shtet demokratik, të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj, por duhet të mbrohen në çdo rrethanë.
Duke folur për rëndësinë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, presidentja ka thënë se ato përfaqësojnë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim të institucioneve.
Sipas saj, zbatimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
Shiroka-Pula ka vlerësuar se forcimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në përmbyllje të fjalimit, ajo ka theksuar se synimi duhet të jetë krijimi i një shoqërie ku çdo qytetar i gëzon të drejtat e tij pa pasur nevojë të kërkojë mbrojtje, ndërsa institucionet duhet të funksionojnë me përgjegjësi, në mënyrë që sa më pak qytetarë të detyrohen t’i drejtohen Avokatit të Popullit./teve1.info/







