Një raport i sapopublikuar nga Prokurori Special Jack Smith, i paraqitur në Kongresin Amerikan, dëshmon se ish-presidenti Donald Trump do të ishte dënuar për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, nëse ai nuk do të ishte rizgjedhur president në nëntor të vitit 2024.
“Provat e mbledhura ishin të mjaftueshme për të mbështetur një dënim në gjyq”, thuhet në raportin prej 137 faqesh, i cili detajon hetimet ndaj Trump.
Megjithatë, pas rizgjedhjes së tij dhe rikthimit në detyrë, ndjekjet penale janë ndërprerë, në përputhje me rregulloret e Departamentit të Drejtësisë, të cilat ndalojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Trump u akuzua për një sërë shkeljesh, përfshirë komplotin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përhapjen e qëllimshme të pretendimeve të rreme për mashtrim zgjedhor dhe përpjekjen për të shfrytëzuar trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Ai ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë të ngritur ndaj tij, duke i cilësuar hetimet si të motivuara politikisht.
Pas publikimit të raportit, Trump deklaroi në platformën e tij “Truth Social”: “Provat janë të rreme dhe prokurori Jack Smith është një person i çmendur. VOTUESIT KANË FOLUR!!!”
Jack Smith, i emëruar si këshilltar special në vitin 2022 për të mbikëqyrur hetimet ndaj Trump, mblodhi dëshmi që e akuzonin atë për “përpjekje të paprecedentë për të mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.”
Në raport përfshihen edhe akuza për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, në Florida. Në lidhje me këtë çështje, bashkëpunëtorët e Trump, Walt Nauta dhe Carlos De Oliveira, janë ende nën hetim.
Gjykata ka ndaluar përkohësisht publikimin e plotë të raportit të Smith për të shmangur ndikimin e mundshëm në proceset gjyqësore kundër bashkëpunëtorëve të Trump.
Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ndaluar çdo veprim të mëtejshëm penal kundër tij. Raporti sqaron se Departamenti i Drejtësisë ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë, ndërsa thekson se në mungesë të rizgjedhjes, provat do të kishin mjaftuar për një dënim.
E ardhmja e çështjeve të tjera ligjore të lidhura me bashkëpunëtorët e tij mbetet ende e paqartë, ndërsa Gjykata do të shqyrtojë më tej publikimin e pjesës tjetër të raportit këtë javë.