Izraeli ka shkelur armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Gaza së paku 497 herë në 44 ditë,duke lënë të vrarë qindra palestinezë që kur armëpushimi hyri në efekt më 10 tetor, sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës.
Që atëherë 341 civilë janë vrarë në sulme, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
“Ne dënojmë me fjalët më të ashpra shkeljet e vazhdueshme serioze dhe sistematike të marrëveshjes së armëpushimit nga autoritetet pushtuese izraelite”, tha zyra në një deklaratë të shtunën.
“Këto shkelje përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe protokollit humanitar të bashkëngjitur marrëveshjes. Ndër këto shkelje, 27 ndodhën sot, të shtunën, duke rezultuar në 24 martirë dhe 87 të plagosur”, shtoi ajo.
Zyra tha gjithashtu se Izraeli ishte plotësisht përgjegjës për pasojat humanitare dhe të sigurisë nga shkeljet e tij.
Izraeli vazhdon të kufizojë rëndë rrjedhën e plotë dhe të lirë të ndihmës dhe furnizimeve mjekësore të nevojshme në enklavën e shkatërruar, siç ishte mandatuar në marrëveshjen e armëpushimit.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha së këto sulme erdhën pasi një ushtar i Hamasit sulmoi ushtarë izraelitë, ku nuk pati të vrarë, në territorin e okupuar nga Izraeli në Gaza ku gjendet e ashtuquajtura vija e verdhë.
Hamasi ka sfiduar këtë duke i kërkuar izraelitëve që të tregojnë identitetin e ushtarit të Hamasit që supozohet se kreu sulmin.
Izzat al-Rishek, një anëtar i lartë i byrosë politike të Hamasit, u bëri thirrje ndërmjetësve të marrëveshjes së Gazës dhe administratës amerikane që të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të mbështesë pretendimin e tij dhe të zbatojë marrëveshjen e Gazës.
“Izraeli po shpik pretekste për t’iu shmangur marrëveshjes dhe për t’u rikthyer në një luftë shfarosëse”, tha ai në një deklaratë.
“Është Izraeli ai që e shkel marrëveshjen çdo ditë dhe në mënyrë sistematike.”
Ai gjithashtu hodhi poshtë raportet që pretendonin se Hamasi kishte anuluar armëpushimin.
Tareq Abu Azzoum, reporter i Al Jazeera-s, duke raportuar nga Qyteti i Gazës, tha të dielën se marrëveshja e armëpushimit në Gaza është vetëm “një armëpushim në emër”.
“Në realitet, pavarësisht pauzës së shpallur, forcat izraelite kryen një seri sulmesh ajrore në të gjithë Gazën”, tha ai.
Abu Azzoum tha se sulme të tilla i kanë lënë palestinezët në Gaza me “një ndjenjë të shkatërruar sigurie” pavarësisht armëpushimit të supozuar.
“Sulme të tilla përforcojnë bindjen se marrëveshja e Gazës është trajtuar si një tërheqje taktike dhe jo si një angazhim i vërtetë detyrues”, shtoi ai.
Dhjetëra familje palestineze janë rrethuar në Gazën veriore , thanë autoritetet lokale, ndërsa ushtria izraelite ka ripozicionuar forcat e saj më thellë në enklavë në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
E përcaktuar në marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, vija e verdhë i referohet një kufiri të pashënuar ku ushtria izraelite u ripozicionua kur marrëveshja hyri në fuqi muajin e kaluar.
Kjo i ka lejuar Izraelit, i cili rregullisht qëllon dhe vret palestinezët që i afrohen vijës, të mbajë kontrollin mbi më shumë se gjysmën e territorit bregdetar.
Hamasi tha se Izraeli është zhvendosur drejt perëndimit përtej vijës së verdhë, ku janë të stacionuara trupat izraelite në Gaza, dhe po ndryshon kufirin e përcaktuar si pjesë e marrëveshjes.











