Gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Istref Elezaj, ka vazhduar paraqitjet në nivelet më të larta të volejbollit evropian, duke qenë pjesë e një tjetër ndeshjeje shumë të rëndësishme në kupat evropiane.
Mbrëmë ai referoi si refer i dytë gjysmëfinalen e meshkujve në Challenge Cup, në përballjen mes Altekma SK Izmir (Turqi) dhe Allianz Milano (Itali).
Takimi përfundoi me fitoren 1-3 të skuadrës italiane, e cila me këtë sukses siguroi kualifikimin në finalen e këtij kompeticioni.
Ndeshja u zhvillua me përdorimin e Challenge System, teknologji që përdoret në nivelet më të larta të volejbollit evropian.
Madje edhe pika e fundit e takimit u vendos përmes këtij sistemi, duke e bërë këtë një përvojë të veçantë dhe shumë profesionale për arbitrimin në një sfidë të këtij niveli.
Për performancën e tij në këtë takim, Elezaj mori vlerësim shumë të lartë, duke vazhduar kështu serinë e delegimeve të rëndësishme në ndeshjet e fundit në garat evropiane.
Ky është një tjetër dëshmi e besimit që strukturat e volejbollit evropian po i japin referimit kosovar, ndërsa një ndeshje shumë e rëndësishme e fazës finale të këtij kompeticioni iu besua pikërisht gjyqtarit tonë.







