Florim Kiqina në luftën e Kosovës, ishte ushtar i Brigadës “111 Adem Jashari”.
Mirëpo emri i Kiqinës nuk figuron në një listë me ushtarë të kësaj brigade, të publikuar nga disa lëvizje propagandistike në Serbi.
Kiqina tregon për TËVË1 se lista është e përbërë me emra të panjohur për të.
“Mesa e pashë këto lista, këtu ka gabime njerëz që s’kanë qenë hiq në Brigadën 111, i pashë aty dy vetë. Tjetra është se nuk ishin të shkruajtura me shkronja çirilice, serbët nuk i shkruajnë emrat me shkronja shqip, se s’dinë me shkru, por këto janë manipulime qysh edhe më herët ka qenë një listë, ka qenë edhe emri im ka qenë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, me shkronja çirilice u kon ajo”, ka thënë Kiqina.
Në listat e publikuara nuk është as emri i vëllaut të Kiqinës, Afrim Kiqina, i cili ra hero duke luftuar me “Brigadën 111 Adem Jashari”.
E për këtë veprim të Serbisë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, po kërkon reagim shtetëror.
“Çka më befason unë ende deri më sot s’kam dëgju nga institucionet e vendit që t’a ngrisin zërin dhe të reagojnë apo t’i dërgojnë letër INTERPOL-it dhe shteteve të Bashkimit Evropian për shkak të këtij reagimi që ka bërë Serbia”, u shpreh Gucati.
Gucati bën thirrje që veteranët e UÇK-së ta shmangin me patjetër kalimin nëpër shtetin serb.
E rrugët e Serbisë, vëllau i katër dëshmorëve të kombit, Florim Kiqina, thotë se nuk i ka shkelur asnjëher.
“As që më ka shkuar në mendje të kaloj nëpër territor të Serbisë, tash nëse më thonë shteti i Serbisë të garantojë, unë prapë nuk i besoj dhe nuk duhet besuar kurrë. Unë iu kisha thënë të gjithë bashkëluftëtarëve të mi që mos kaloni, mos u mashtroni me kalu, ajo është një politikë serbe që të lejon një herë, dy apo tri herë me kalu për me kriju përshtypje se gjoja se spo i ngucim, çdo vit ka ndodhë që dikush që është kthyer prej gurbeti që është kapë”, u shpreh tutje Kiqina.
Lëvizja serbe që publikoi disa lista me emra të veteranëve, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe Prokuroria serbe që t’i kryej verifikimet e nevojshme, nëse ndonjë nga ta është përfshirë në krime.
Në disa raste gjatë viteve të fundit, Serbia ka arrestuar kosovarë nën pretendimet se kanë kryer krime lufte si ushtar të UÇK-së, ndonëse ata nuk figurojnë si veteranë.



