Kombëtaret që përfunduan në pozitën e katërt në katër grupet e Ligës A do të luajnë në plejof për qëndrim në nivelin më të lartë të Ligës së Kombeve, ndaj atyre që përfunduan në vendin e dytë në katër grupet e Ligës B.
Ekipet e Ligës A e kanë përparësinë e terrenit vendës në ndeshjet kthyese.
Bosnjë-Hercegovina do të ketë përballje të vështirë me Danimarkën.
Hungaria do të luajë ndaj Serbisë. Irlanda që ishte në grup me Kosovën dhe e fitoi ndeshjen e fundit në Dublin 3:0 ndaj “Dardanëve”, do ta kërkojë ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve pas dy ndeshjeve me Kroacinë.
Ndërkohë, Sllovenia do të luajë ndaj Uellsit.

Të premten në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti edhe për plejofin e Ligës B/C.
Kombëtaret që përfunduan në vendin e katërt nëpër grupet e Ligës B, do të luajnë në plejof me skuadrat e Ligës C. Skuadrat që përfunduan në vendin e dytë të grupeve në Ligën C e kërkojnë ngjitjen në nivelin e dytë të kësaj gare.
Qiproja do të përballet me Maqedoninë e Veriut, ku luajnë disa shqiptarë. Estonia do të luajë ndaj Rumanisë. Ishujt Faroe përballen me Gjeorgjinë, ndërsa Bjellorusia përballë do ta ketë Izraelin.
Ndeshjet luhen nga 25 deri më 30 mars të vitit të ardhshëm.








