Pas më shumë se dy dekadash pritjeje, është zbardhur fat i tre personave të zhdukur në luftë.
E identiteti i tyre është konfirmuar përmes analizave të ADN-së.
Krejt kjo pas përmbylljes së gërmimeve 24-ditore në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.”
Pikërisht në këto lokacione janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave.
Për zbardhjen e identitetit të këtyre tre personave njoftoi këtë të shtunë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe. Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe menjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara”, theksoi kryeministri Kurti.
Kurti ka thënë se gjatë vizitës që po e zhvillon në SHBA do të kërkojë të zbardhet fati i personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”, deklaroi Kurti.
E për këtë ka reaguar edhe U.D. e Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke thënë se do kërkojnë zbardhjen e çdo personi të zhdukur.
“Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999. Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi. Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim”, tha Haxhiu.
Madje edhe sipas Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla zbardhja e fatit të zhdukurve me dhunë është prioritet i Republikës së Kosovës.
Ndryshe kujtojmë se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër, gërmimet zgjatën rreth 4 javë, ndërkaq tani jemi në fazën e identifikimit të viktimave.






