Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës- Ministrisë së Drejtësisë e parashtruar kundër të paditurës Oda e Avokatëve të Kosovës, lidhur me çështjen e tarifave të regjistrimit.
Sipas vendimit, MD përmes të autorizuarës së saj Avokatura Shtetërore më 12 qershor 2026 ka parashtruar padi ndaj OAK, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Supremja thekson se gjatë shqyrtimit paraprak, ka vërejtur se padia e paditësit nuk është e qartë dhe e kuptueshme, në drejtim të aktit të cilin e konteston, e që ky fakt e pengon në shqyrtimin e mëtejshëm të themelësisë së padisë, andaj ka obliguar MD-në të bëjë korrigjimin/plotësimin e padisë.
Kështu, paditësja me parashtresën e datës 18 qershor 2026, ka bërë plotësimin e padisë dhe precizimin e saj, ku ndër të tjera kërkon nga Gjykata Supreme që të shfuqizojë si të kundërligjshëm lartësinë e shpenzimeve të regjistrimit të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Por, Gjykata Supreme vlerëson se kjo padi nuk hyn në kompetencë për shqyrtimin lëndor të kësaj Gjykate.
“Gjatë shqyrtimit paraprak të padisë, u vërtetua se aktin të cilin e konteston paditësja në këtë çështje administrative nuk është akt nënligjor posaçërisht një akt i nxjerrë në bazë të autorizimit të shprehur të një ligji të miratuar nga Kuvendi ashtu siç e percaktojnë edhe dispozitat e LKA-së”, thuhet në vendim.
Sipas Supremes, paditësja në padi i është referuar shfuqizimit të lartësisë së shpenzimeve për regjistrim, të cilat shpenzime janë të përcaktuara tek “Kërkesa për regjistrim në regjistrin e avokatëve”, e që kjo kërkesë nuk i plotëson kriteret e një akti nënligjor normativ.
“Sipas nenit 10 paragrafi 4 të LKA-së, Gjykata Supreme ka kompetencë të shqyrtojë vetëm: revizionet e paraqitura kundër aktgjykimeve të giykatës së shkallës së dytë, të cilat i paraqiten gjykatës së shkallës së parë dhe paditë për shfuqizimin e akteve nënligjore normative, që paraqiten drejtpërdrejt në këtë gjykatë. Andaj, nga peëmbajtja e padisë nuk rezulton se rasti ka të bëjë me ndonjë akt nënligjor normativ dhe as me revizion”, thuhet më tej në vendim.
Andaj, pasi Gjykata vlerësoi se akti i kontestuar nuk përmban elementet e një akti nënligjor normativ, dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për shqyrtim të mëtejshëm të aktit të kontestuar nga paditësi, dhe duke pasur parasysh mospërmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe veçanta procedurale, përfshirë kompetencën ligjore të kësaj gjykate, dhe nuk ka asnjë aktgjykim apo lëndë objekt shqyrtimi sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik, padia hudhet poshtë si e palejuar.
“Gjykata Supreme, në referim të nenit 10 paragraf 4 të LKA-së, vlerësoj se kjo gjykatë, gjykon sipas revizionit dhe si shkallë e parë dhe e vetme, ndaj kërkesëpadive për shfuqizimin e një akti nën-ligjor normativ, të gjitha paditë e tjera gjykohen në gjykatën e shkallës së parë si gjykatë kompetente”, thuhet në vendim.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar OAK, duke thënë se me këtë vendim, tentativa e Qeverisë për të vënë në diskutim aktet e Odës nuk arriti të kalojë as filtrin fillestar të lejueshmërisë procedurale.
“Oda e Avokatëve e Kosovës nuk do të njohë dhe nuk do të zbatojë asnjë vendim, akt apo urdhër të nxjerrë nga organe që veprojnë jashtë kompetencave të tyre ligjore. Çdo ndërhyrje e tillë është juridikisht e pabazuar dhe nuk prodhon pasoja juridike ndaj Odës së Avokatëve”, thuhet në reagim.




