Paraditja e së enjtes, u pa si vendimtare për fatin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kësisoj, edhe vazhdimi i seancës së 13 nëntorit, u caktua për në ora 10:00.
Por, pavarësisht lajmërimit, deputetët nuk u panë në sallën plenare në këtë kohë.
Kjo meqë në objektin e Qeverisë së Kosovës, po zhvillohej një takim mes kryeministrit, Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Detaje se çfarë u bisedua në takimin rreth një orësh, nuk dha shumë ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së.
“Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje. Dallimet i kemi ende në procedurë. Diskutimet vazhdojnë”, tha Çitaku.
E dy orë më pas, të zgjedhurit e popullit, iu drejtuan sallës plenare.
Para hyrjes në të, Citaku dha indikacione se rreth Ligjit për Specialen, kanë arritur një marrëveshje me partin në pushtet.
E kur të gjithë e pritën fillimin e kësaj seance, u kuptua që ajo nuk do të vazhdojë.
Në vend të saj, nisi seanca e re e rregullt e Kuvendit të Kosovës.
Por në të, detaje rreth fatit të Ligjit për Specialen, dha kryeministri.
“Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se për këtë ligj, nuk mjaftoi vetëm qëllimi i mirë.
“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses”, tha kryeministri.
Tutje, Kurti shtoi se po draftohet edhe strategjia shtetërore për Apel.
E pas fjalimit të Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës thirri një konferencë për media.
Në të, detaje për draftligjin e ri dha edhe u.d së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku.
“Mbi atë tekst do t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore. Me Kurtin jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet të bëhen. Dallimet kanë qenë te procedura parlamentare. Sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore do ta ndërmarrim menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete”, tha Çitaku.
Ndryshe, ky ligj që u miratua edhe në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës, u kthye prapa nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula.






