Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë Kurti për çështjet e sigurisë, klimën e investimeve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë prezantimit të platformës politike dhe strategjisë për zhvillimin e Kosovës në një takim me strukturat e gjera të Aleancës, kryetari i kësaj partie tha se vendi ka nevojë të madhe për investime të huaja në ekonomi.
“Neve na duhen investitorë të huaj, na duhet të një diasporë që investon, vëllezër e motra tona që jetojnë në diasporë, të kemi investime vendore në ekonominë tonë. Kush po mendoni që investon miliona nëse qeveria çdo dy-tri ditë thotë ‘kemi me hy në luftë”?!”, ka deklaruar Gjini.
Gjini ka theksuar se siguria dhe partneritetet ndërkombëtare janë të ndërlidhura, duke vlerësuar se dëmtimi i aleancave nuk mund të bashkëjetojë me synimin për të garantuar siguri për Kosovën.
“Nuk bën të prishen aleancat dhe të provohet që të ofrohet siguri. Nuk bën! As shtete shumë të mëdha nuk mund ta bëjnë këtë e lëre më në një vend si Kosova”, ka thënë Gjini.
Kujtojmë, takimi i sotëm i Aleancës me strukturat e saj u mbajt në kuadër të përgatitjeve për një fazë të re të mobilizimit politik në të gjitha nivelet organizative dhe do të shërbejë si pikënisje për intensifikimin e aktivitetit politik dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm të kësaj partie në raport me zhvillimet politike në vend. /KP







