Byroja Shtetërore e Dhomat e Specializuara në Hagë.
Këto ishin vetëm disa nga temat që u diskutuan në konferencën e thirrur nga Ministria e Drejtësisë për këtë të shtunë.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë është bërë bozë, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka në asnjë hallë as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikë takimi timin, as direkt dhe as indirekt. Mirëpo, edhe pak durim do të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt”, tha Donika Gërvalla.
E pyetur për qëndrimin e saj pas aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së, Gërvalla tha se reagimi është bërë nga Qeveria në emër të institucioneve.
“Ndërsa sa i përket heshtjes, unë nuk kam heshtur unë jam Ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një batalje, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, theksoi Gërvalla.
Sa i përket projektligjit të propozuar nga PDK-ja për Dhomat e Specializiuara, ministrja bëri të ditur se po analizohet nga ekspertët e kësaj ministrie.
“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projketiligjin e propozuar nga PDK. Kur të kemi gati do ia dërgojëm Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë, por askush nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, theksoi ajo.
Në këtë konferencë, Gërvalla foli edhe për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duke bërë të ditur se është dërguar në Kuvend.
“Një lajm po ashtu jashtëzakonisht i mirë është që po dërgojmë në Kuvend edhe ligjin për Byronë. Që nga mandati i kaluar ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”, shprehet Gërvalla.
Sipas Gërvallës, iniciativa zyrtare për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe ka qenë pjesë e reformave në drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.






