Shtabi i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i FSK-së ka pësuar lëndime të lehta gjatë një aktiviteti stërvitor, i cili është zhvilluar më herët në njërin nga poligonet e Forcës.
Në reagimin e saj, FSK ka sqaruar se rasti ka ndodhur gjatë trajnimeve, duke theksuar se aktivitetet e tilla bartin rrezikshmëri të lartë.
“Gjatë trajnimeve me municione, FSK përballet me rrezikshmëri të lartë, por paraprakisht merr të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut”, thuhet në njoftim.
Sipas FSK-së, pjesëtarët pajisen me mjete mbrojtëse individuale dhe kolektive, ndërsa gjatë çdo aktiviteti janë të pranishme edhe ekipet mjekësore, të gatshme për ndërhyrje dhe evakuim në rast nevoje.
Institucioni ka bërë të ditur se masat e sigurisë zbatohen në përputhje me standardet e FSK-së dhe NATO-s.
“FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, FSK ka ritheksuar përkushtimin për rritjen e vazhdueshme të sigurisë dhe mbrojtjen e personelit të saj.







