Franca ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të sillen para drejtësisë, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u ka bërë thirrje që të rifillojnë dialogun dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jay Dharmadhikari, gjatë diskutimit për Kosovën, tha se të dyja vendet ndajnë një të ardhme evropiane, por se kjo kërkon vazhdimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve.
“Përtej të gjitha sfidave, Serbia dhe Kosova ndajnë një të ardhme evropiane e cila do t’u shërbejë popujve të tyre. Kjo rrugë kërkuese kërkon vazhdimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve të tyre përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesi i tij i Posaçëm, z. Peter Sørensen, me mbështetjen e partnerëve të të dyja vendeve”, deklaroi ai.
Përfaqësuesi francez u bëri thirrje të dyja vendeve që të rifillojnë dinamikën e dialogut, duke përmendur marrëveshjen për zbatimin shkallë-shkallë të Ligjit për të Huajt, të arritur më 14 mars.
“Franca u bën thirrje të dyja vendeve të rifitojnë dinamikën e dialogut të nisur më herët këtë vit me Marrëveshjen për Zbatimin Shkallë-shkallë të Ligjit për të Huajt, të arritur më 14 mars”, tha ai.
Ai theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mbetet objektivi kryesor.
“Në fund të fundit, objektiv është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, gjë që kërkon një përkushtim të vendosur nga secila palë”, u shpreh përfaqësuesi francez.
Gjatë fjalës së tij, ai mirëpriti zgjedhjen e Justina Shiroka Pula si presidente e Kosovës, duke vlerësuar se kjo do të kontribuojë në funksionimin e institucioneve dhe avancimin e reformave.
“Zonja Presidente, Franca mirëpret zgjedhjen e znj. Justina Shiroka Pula si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo zgjedhje do të kontribuojë në funksionimin e rregullt të institucioneve të vendit dhe duhet të mundësojë progres të ripërtërirë dhe zbatimin e reformave të nevojshme. Këto institucione duhet gjithashtu të garantojnë pjesëmarrjen aktive të serbëve, si në nivelin lokal, ashtu edhe brenda gjyqësorit”, deklaroi ai.
Sa i përket Gjykatës Speciale, Franca rikonfirmoi mbështetjen për drejtësinë ndërkombëtare dhe kërkoi nga Kosova që t’i respektojë obligimet e saj ndërkombëtare.
“Franca ritregon mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, e cila ndihmon në vendosjen e përgjegjësisë dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e krimeve më të rënda, duke kontribuar kështu në përpjekjet për pajtim. Në këtë aspekt, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ndryshon ligjin lidhur me Dhomat e Specializuara, nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, tha përfaqësuesi francez.
Ai shtoi: “Franca i bën thirrje Kosovës t’i respektojë plotësisht obligimet e saj ndërkombëtare me qëllim që të garantojë pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara.”
Përfaqësuesi francez u ndal edhe te sulmi në Banjskë, duke kërkuar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
“Për më tepër, pothuajse tri vite pas ngjarjeve, është e papranueshme që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të mbeten të lirë. Kryesit e këtyre sulmeve duhet të sillen para drejtësisë dhe të kërkohet llogari nga ata”, theksoi ai.
Në fund, Franca rikonfirmoi mbështetjen për misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe për koordinimin ndërmjet tyre.
“Zonja presidente, Franca mbështet përpjekjet e UNMIK-ut në koordinim me KFOR-in, si dhe misionin e EULEX-it në Kosovë. Mandati i UNMIK-ut është gjithsesi i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ne e sigurojmë PSSP-në për mbështetjen tonë. Përfundimisht do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet në drejtim të harmonizimit të forcave paqeruajtëse, duke respektuar plotësisht mandatet e tyre”, deklaroi përfaqësuesi i Francës./rtk







