Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Republikës së Irlandës, ku do të marrë pjesë në Samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë qëndrimit në Dublin, Kurti pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme, si dhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
Në njoftim bëhet e ditur se takimet do të zhvillohen në margjinat e samitit dhe gjatë vizitës së tij në kryeqytetin irlandez.
Ndërkohë, para udhëtimit drejt Irlandës, kryeministri Kurti qëndroi për dy ditë në Paris, ku mori pjesë në aktivitetet e Forumit të Paqes dhe zhvilloi disa takime.
Në kuadër të qëndrimit në Francë, Kurti u takua edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, integrimin evropian të Kosovës dhe sigurinë në rajon.







