Dy lokale në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe inspektorëve sanitarë, pasi në to dyshohet se organizoheshin lojëra të paligjshme të bixhozit.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve të zhvilluara të mërkurën në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar telefona, laptopë, dokumente dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e lojërave të bixhozit.
Në kuadër të këtij rasti, katër persona janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar dhe më pas janë liruar me udhëzim të Prokurorit të Shtetit.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është iniciuar procedurë për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Ndërkaq, mbyllja e dy lokaleve është bërë nga Inspektorati Sanitar.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të jetë shërbim të qytetarëve në zbatim të ligjit dhe në luftimin e dukurive negative. Çdo informacion lidhur me raste të dyshimta mund të raportohet në numrin emergjent 192”, thuhet në fund të njoftimit./teve1.info/








