Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdojnë aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), në kuadër të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.
Në konferencën për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se në QNR ka nisur numërimi i votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në përfaqësi diplomatike. Më 6 qershor 2026, në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 27,724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22,860 prej tyre apo 82.46% dhe këto fletëvotime do të përfshihen në numërim”, tha Elezi.
Ai njoftoi se në QNR po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi përmes postës.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës”, deklaroi ai.
Elezi paraqiti të dhënat e deritanishme.
“Deri në përfundim të ditës së mërkurë (10 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako, prej të cilave janë aprovuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha ai.
Më tej, ai sqaroi qëllimin e procesit të verifikimit.
“Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën 16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha ai.
Elezi foli edhe për procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.
“Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”, deklaroi ai.
Sipas KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar për votim me postë ka qenë mbi 104 mijë. “Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues”, tha Elezi.
Sa i përket procesit të numërimit dhe verifikimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, ai bëri të ditur se shumica e komunave tashmë e kanë përfunduar këtë fazë.
“Deri më tani (e enjte, 11 qershor 2026, ora 16:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,271 nga 2,498 vendvotime apo 90.91%”, tha ai. Elezi numëroi qendrat komunale që kanë përfunduar procesin. “E hënë, 8 qershor, deri në orën 24:00: Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh dhe Mamushë. E martë, 9 qershor, deri në orën 16:00: Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut. E mërkurë, 10 qershor, deri në orën 16:00: Deçan, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Klinë, Viti, Kaçanik, Rahovec dhe Leposaviq. E mërkurë, 10 qershor, deri në orën 24:00: Istog, Skenderaj, Malishevë, Drenas, Lipjan, Pejë dhe Podujevë. E enjte, 11 qershor deri në orën 16:00: Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë”, deklaroi ai. Ndërkaq, sipas tij, procesi ende nuk ka përfunduar në tri komuna. “Procesi i numërimit dhe verifikimit nuk është përmbyllur ende në 3 QKN-të tjera: Gjilan (94/127), Prizren (167/232) dhe Prishtinë (133/262)”, tha Elezi. Ai shtoi se rezultatet po publikohen në vazhdimësi në platformën zyrtare të KQZ-së. “Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate”, shtoi ai.







