Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar nismën për miratimin e ligjit lidhur me ish-krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Besoj që kanë qenë edhe kërkesë e dikujt, që s’mund t’i thuhet emri, ndoshta edhe nuk nxirret emri për ta bërë diçka të tillë, sepse ndoshta ndikon në procedurat gjyqësore”, ka deklaruar Haliti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Anëtari i këshillit drejtues të PDK-së, ka folur edhe për rrethanat në të cilat u votua ligji, duke përmendur protestat e përnatshme dhe ndryshimin e situatës një ditë pas votimit.
“Pastaj të nesërmen ndryshoi situata, sepse ata me siguri që u kanë shkuar në zyra atyre që duhet t’u shkojnë dhe u kanë thënë se ju mund të sillni ligj çfarë të doni, por efekti i tyre atje nuk qëndron”, është shprehur ai.
Në fund, i pyetur nëse PDK-ja mund ta ketë përdorur këtë çështje edhe për kalkulime elektorale, Haliti ka vlerësuar se pas zhvillimeve mund të ketë pasur një marrëveshje.
“Tani mendoj një marrëveshje ose pazar duhet të ketë qenë”, ka vlerësuar Xhavit Haliti.







