Vëmendjen sot e patën tek librat.
Mes tavolinave të mbushura me libra, fëmijët kërkonin librin që duan ta marrin me vete.
Kështu këtë të mërkurë Amfiteatri në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë është kthyer në vendtakim për lexuesit e vegjël.
Krejt kjo me nisjen e edicionit të katërt të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Për disa nga fëmijët, panairi është tashmë një vend ku kthehen çdo vit.
“I kam lexuar rreth 38-39 libra. Në shkollën tonë e kemi bibliotekën gjatë vitit të kaluar e edhe këtë vit po mundohem të marrë lexuesen e vitit”, shprehet nxënësja Ema Sadiku
Shumë nga fëmijët nuk dolën duarthatë nga panairi.
“Po më pëlqen panairi dhe e kam ble një libër këtu. Në pushimin veror i kam lexuar tetë libra dhe kam mësuar shumë prej tyre. I kisha propozuar edhe fëmijëve të tjerë me lexuar këtë libër”, thotë Diell Kryeziu -nxënës.
Kam ardh me i ble librat për pushim, më pëlqen shumë me lexu dhe e kam ble “Majori i vogël Tom”, shprehet Art Haziri – nxënës.
E interesimi në panair, sipas organizatorëve ka qenë i madh që në ditën e parë.
“Kemi shumë fëmijë, shumë interesim të madh. Sivjet kemi provuar me bërë diçka edhe më mirë. Gjithnjë jemi duke provuar me bërë më mirë e më mirë. Kemi shumë libra për fëmijë, kemi gjithashtu edhe këndin e të rriturve, për të rriturit, për prindërit që vijnë me fëmijët e tyre. Kemi shumë interesim, siç po i shihni, siç e patë edhe më herët, ka shumë fëmijë, ka shumë shkolla të cilat po vijnë. Po vijnë shkolla prej qyteteve të tjera. Ne kemi provuar me i ftuar krejt, por kemi problem me i ftuar krejt shkollat e Kosovës. Por ne gjithsesi i ftojmë krejt kush do me ardh, kur duan mund të vijnë”, thotë Zjarr Bujrari – menaxher i programit në organizatën ETEA.
Për t’i ofruar edhe më shumë fëmijët me librin, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, në Prishtinë, nesër ofron regjistrim falas për fëmijët.
“Nesër kemi regjistrim falas. Kështu që ejani me shokë, shoqe prej orës 10:00 deri në orën 16:00, të gjithë. Kemi regjistrim falas për një vit. Dhe kur ta mbushni një vit, ejani përsëri, kemi regjistrim falas. Ne kemi vizituar shkollat, edhe shkollat e parashkollorët kanë ardhur te ne. Por dëshirojmë që ju dhe moshatarët tuaj t’i kemi më të pranishëm në bibliotekë, që raftet tona të stërmbushen e të zbrazen nga leximet tuaja”, tha Naime Beqiraj – drejtoreshë e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë do të vazhdojë deri më 27 shtator në Amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.






