Shkruan: Prof. dr. Bernard Tahirbegolli
Secili popull ka simbolet e veta kulturore, e kur është fjala për ne shqiptarët, këto simbole janë më shumë sesa ikona vizuale. Ato janë bartëse të historisë dhe rezistencës kombëtare. Figura plakut me plis që shkëlqen nga pastërtia e i rrethuar me familjarë e miq, përçon jo vetëm një imazh të ngrohtësisë e vatrës familjare, por edhe një rend të tërë vlerash e arketipash që janë në qenien e shqiptarit të bazuara në solidaritet e qëndresë.
Familja shqiptare në Kosovë ka luajtur rol qendror si ruajtëse e kësaj trashëgimie, duke shërbyer si bërthama jetike për edukimin e brezave të rinj në frymën e patriotizmit dhe dashurisë për atdheun. Një nga veçoritë kryesore që ka karakterizuar shqiptarët dhe, me shpresë, do t’i karakterizojë edhe në të ardhmen është, siç thamë – solidariteti shoqëror, një kapital shoqëror që lidhet ngushtë me ndihmën dhe mbështetjen reciproke. Ky solidaritet, është pjesë e natyrshmërisë sonë, e vetvetishme dhe krejt e vetëkuptuar, dhe përveç këtyre, është formuar edhe si rezultat i persekutimit shumëvjeçar që ka përjetuar populli shqiptar. Duke u udhëhequr nga urtësia: O do të mbahemi bashkërisht, o do të tretemi individualisht”. Andaj, e mira e përbashkët ka qenë gjithmonë më e rëndësishme sesa ajo individuale.
Padyshim shqiptarët e Kosovës dëshmuan lidhjen e tyre të thellë me tokën dhe identitetin kombëtar. Emrat e fëmijëve si “Kosovar”, “Kosovare”, “Plis”, “Ukë”, “Bardh” e “Bardha” u vendosën për të mbajtur gjallë idenë e pastërtisë, fisnikërisë, lashtësisë, rezistencës kombëtare, përkatësisë gjeografike dhe krenarinë ndaj saj. Nëse Kosovar e Kosovare shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, Rrap vjen nga pema e Rrapit, që mbetet simbol i fuqishëm i qëndrueshmërisë e lashtësisë. Njashtu emri Ukë, që simbolizon figurat mitologjike që personifikojnë heroizmin e guximin…
Familja shqiptare në Kosovë bart rolin kryesor në ruajtjen e kësaj fryme e trashëgimie, duke shërbyer si bërthamë kryesore për edukimin e brazave të rinj në frymën e atdhedashurisë. Familja shqiptare shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen nën moton: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”. Kjo traditë mbetet një burim i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit, përhapjes së dashurisë edhe në kushtet e sfidave të postmodernizmit.
Në vitet ’90, Serbia e quajti rritjen e popullsisë shqiptare në Kosovë si një “gjenocid psikologjik”, duke e konsideruar këtë si një kërcënim për balancën demografike dhe politike të rajonit. Kjo ide është një narrativë që shpesh është përdorur në diskurset politike dhe propagandistike të Serbisë, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Ajo përfshin perceptimin se rritja demografike e shqiptarëve gjatë shekullit XX ka pasur ndikim të thellë psikologjik dhe politik mbi Serbinë, duke kontribuar në formimin e një ndjenje kinse “traume kolektive” e komplot kundër interesave serbe, për t’i justifikuar politikat e saj represive që i ka zbatuar në Kosovë.
Familja shqiptare ka qenë gjithmonë shtyllë e paluhatshme e identitetit kombëtar dhe kulturor. Në kontekstin e shoqërisë shqiptare, familja nuk është thjesht një njësi sociale, por një vatër që mësoi breza të tërë të duan tokën e Kosovës, të rezistojnë ndaj një armiku që, teorikisht, dukej i pamposhtur. Përmes familjes, u ndërtuan narrativa të fuqishme të qëndresës e rezistencës, si dhe një rend shoqëror që mbështetej te vlerat kolektive dhe bashkëpunimi.
Sot në shoqërinë kosovare diskutohen tema për prindin një dhe për prindin dy. A nuk është kjo qasje një shqelm e anulim i “kompleksit të Edipit”? Në Kuptimin që e anashkalojmë fare simbolikën e gjirit të nënës – si e shenjta për shqiptarët. Në familjen shqiptare “gjiri i nënës” simbolizon jo vetëm dashurinë dhe përkujdesjen, por edhe tokën, traditën dhe historinë. Në letërsinë shqiptare, të periudhës së vjetër apo më të re, gjithnjë si detyrë shtëpie, pas mësimit të vjershave për nënën/mëmëdheun, nxënësve u jepet të përgjigjen në pyetjet: Çʼndjenjë për nënën na ngjall në zemër kjo vjershë? Si i kuptoni metaforat që përdor vjershëtori për nënën: rreze drite, yll qiellor, engjëlloreje? Vallë, çfarë arketipash tjerë duhet tʼi përligjim për ta justifikuar këtë egoizëm?
Të harrojmë se kemi ardhur deri këtu falë sakrificave dhe mesazheve të një plejade të tërë poetësh, shkrimtarësh dhe artistësh që i thurën lavde bashkimit kombëtar dhe faljes së gjaqeve për të mirën kolektive, do të ishte një tradhti ndaj vetvetes. Nuk mundet thjeshtë t’i shqelmojmë poetët që lindën dhe vdiqën duke kënduar për bashkim kombëtar, duke ndaluar përçarjen dhe duke na mësuar që burrat dhe gratë e këtij vendi kanë armikun përtej pragut të shtëpisë, jo brenda saj.
Në shoqërinë postmoderniste, me hipotezën e saj bazë se nuk ka të vërteta absolute dhe se çdo rend është një konstrukt shoqëror, po vihet re një prishje e këtyre “grand-narracioneve” që kanë mbajtur të bashkuar shoqërinë shqiptare. Agjendat liberale, duke vënë individin në qendër dhe duke minimizuar rëndësinë e kolektives, bien në kundërshtim me atë që kemi qenë historikisht si shoqëri. Këtu, fjalët individualizëm dhe egoizëm, kanë përputhje në sufiksat e tyre, në rrimë e në semantikë.
Andaj, nëse shqiptarët do të vinin përpara vetëm interesat individuale, atëherë diaspora nuk do të sakrifikonte për të mirën e përgjithshme dhe dëshmorët nuk do të kishin mbrojtur tokën e tyre, por do të kishin zgjedhur arratinë. Të tilla tema që kundërshtojnë të kaluarën tonë kolektive nuk i ndihmojnë shoqërisë shqiptare të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme.
Prishja e rendit shoqëror që karakterizon shqiptarët përbën një kërcënim serioz për stabilitetin dhe identitetin tonë si komb. Në një botë të globalizuar dhe postmoderne, ku gjithnjë e më shumë theksohet ky individualizëm dhe relativizëmi kulturor, ekziston rreziku real e i prekshëm, që këto vlera kolektive të zbehen. Shthurja e lidhjeve familjare dhe shoqërore mund të çojë në një humbje të identitetit kombëtar dhe në dobësim të ndjenjës së përgjegjësisë shoqërore. Kjo gjendje mund të rezultojë në ndarje e shkarje shoqërore, pakënaqësi dhe paaftësi për të përballuar sfida të reja, si ato ekonomike, politike apo kulturore. Për më tepër, pa një rend të fortë shoqëror, sakrificat historike që kanë bërë shqiptarët për të mirën e përbashkët mund të humbasin rëndësinë dhe ndikimin e tyre.
Familja shqiptare dhe rendi shoqëror i ndërtuar mbi vlerat e solidaritetit dhe përgjegjësisë kolektive kanë qenë shtylla kryesore për mbijetesën dhe suksesin e shqiptarëve gjatë historisë. Në një kohë kur bota po përballet me sfida të reja sociale dhe kulturore, është jetike të ruajmë këtë trashëgimi të pasur dhe ta përshtatim atë me nevojat e kohës, por gjithnjë duke qenë vetja. Mbrojtja e traditave dhe promovimi i vlerave që forcojnë lidhjet familjare dhe kolektive janë thelbësore për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme. Nëse nuk veprojmë për të ruajtur këtë rend, rrezikojmë jo vetëm të humbim atë që na ka mbajtur të bashkuar, por edhe të lëmë pas dore potencialin tonë për të përballuar sfidat e së ardhmes me të njëjtën forcë dhe energji si brezat para nesh.
Duke i theksuar këto virtyte dhe vlera të familjes e rolit të saj në shoqëri, nuk do të thotë se harrojmë që kemi shumë për të bërë në drejtim të ngritjes të vetëdijes në aspekt të përmirësimit të gjendjes së familjes në hap me kohën. Jemi të vetëdijshëm se çështja ekonomike dhe sociale, globalizimi dhe konstrukti shoqëror bashkëkohor janë çështje që ne si shoqëri dhe si institucione duhet t’i ndjekim me vigjilencë. Gjithashtu, duhet të japim maksimumin në edukimin e brezave të rinj, të frymëzojmë dashurinë për dijen dhe përkushtim për punën, të ndërtojmë raporte të shëndosha familjare e shoqërore, të fuqizojmë institucionet për zhvillim arsimor dhe kulturor, të ruajmë me krenari vlerat tona kombëtare dhe traditat, duke i dhënë hov përparimit të shoqërisë dhe forcimit të shtetit tonë në çdo hap.
Familja shqiptare, dhe veçanërisht ajo kosovare, nuk e ka parë ecjen e saj si një garë individuale për të mbërritur larg, por si një marshim i përbashkët për të mbërritur të sigurt dhe të fortë. Duke u udhëhequr nga parimet e edukimit, emancipimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit, familja jonë ka qenë dhe do të mbetet bërthama e qëndrueshmërisë dhe përparimit të shoqërisë.
Prandaj, të ruajmë atë që na mban bashkë, ta trajtojmë të renë pa harruar rrënjët tona, dhe të punojmë çdo ditë për një të ardhme ku vlerat tona të përjetshme të jenë burim frymëzimi për brezat që vijnë. Vetëm duke qenë të bashkuar, krenarë për trashëgiminë tonë dhe të përkushtuar për të ndërtuar të ardhmen, mund të lëmë gjurmë që koha nuk do t’i fshijë kurrë.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info
Autori është profesor universitar në Shëndetin Publik dhe kandidat për deputet nga koalicioni “Lista për Familjen”