Janë liruar nga masa e paraburgimit nëntë zyrtarët e Komunës së Lipjanit të cilët ishin arrestuar nën dyshimin se kishin kryer veprën penale të mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka – Lutfiu.
Sipas saj, nëntë të pandehurit janë liruar nga masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
“Ju njoftoj se bazuar në kërkesat për mbrojtje të ligjshmerisë, të paraqitura nga mbrojtësit e dy të pandehurve, Xh.M., dhe V.M., janë liruar nga masa e paraburgimit, për t’u mbrojtur në liri, dy të pandehurit, dhe sipas detyrës zyrtare edhe shtatë të pandehurit e tjerë”, tha ajo.
Ditë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se nëntë zyrtarë komunalë të Lipjanit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kishin bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.
Me këtë rast ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit në Gjykatën kompetente, për shkak të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ dhe ‘Mashtrimi’./teve1.info./







