Juventusi është në prag të disa vendimeve të rëndësishme strategjike për afatin kalimtar të verës. Për të siguruar fonde për përforcime të bujshme, drejtuesit bardhezi po përgatisin largimin e dy prej lojtarëve me peshë në skuadër.
Sipas La Gazzetta dello Sport, klubi ka dhënë dritën jeshile për shitjen e Douglas Luiz. Mesfushori brazilian pritet t’i bashkohet Nottingham Forest, me marrëveshjen që mund të mbyllet për pak mbi 30 milionë euro – më pak nga shuma 40 milionë euro që Juventusi shpresonte fillimisht të arkëtonte.
Në të njëjtën kohë, edhe sulmuesi argjentinas Nico Gonzalez është në listën e largimeve. Shitja e tij do t’i sillte arkës së klubit edhe rreth 30 milionë euro të tjera.
Në total, vetëm nga këto dy operacione, Juventusi synon të grumbullojë 60–70 milionë euro, një shumë e konsiderueshme që do të përdoret menjëherë për afrime të reja.
Në krye të listës së dëshirave të klubit është rikthimi i Randal Kolo Muanit nga PSG, i cili shihet si sulmuesi i duhur për të shtuar forcën ofensive. Francezi mund të vijë fillimisht në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
Krahas tij, Juventusi po punon edhe për transferimin e mbrojtësit argjentinas Nahuel Molina nga Atletico Madrid, një investim prej rreth 25 milionë euro.
Emri tjetër që ka fituar prioritet është ai i Edon Zhegrovës. Anësori i Lilles është në vitin e fundit të kontratës dhe vlerësohet me një shumë të ngjashme si Molina.
Klubi italian beson se kosovari mund të sjellë kreativitet dhe rrezikshmëri në krahët e sulmit, duke qenë një profil që i mungon aktualisht Allegrit.
Në këtë mënyrë, Juventusi synon të përfitojë nga shitjet për të ndërtuar një skuadër më të balancuar dhe konkurruese.