Pas triumfit ndaj Maqedonisë së Veriut, futbollistet e Kosovës po kërkojnë fitoren edhe në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve kundër Letonisë.
“Dardanet” të hënën kanë kryer stërvitjen e fundit nën urdhrat e selektorit Sami Sermaxhaj dhe janë të gatshme për duelin ndaj Letonisë.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, luhet të martën prej orës 14:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon Grupit 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Selektori Sermaxhaj u shpreh optimist për paraqitjen e ekipit, duke theksuar se skuadra ka bërë përgatitjet e duhura për këtë sfidë, por shtoi se rezultati është i paparashikueshëm, andaj edhe ndeshjes do ti qasen me seriozitetin më të madh.
Po ashtu, edhe futbollistet e Kosovës u shprehën optimiste për këtë duel dhe besojnë se do ta shënojnë fitoren e radhës.
Kosova renditet e para në Grupin 6, me 3 pikë dhe synon të vazhdojë ecurinë pozitive në këtë kompeticion, me qëllim të realizimit të objektivit për rikthim në Ligën B.