Procesi i zgjedhjeve lokale u mbajt në 38 Komuna, por vetëm 21 prej kandidatëve dolën fitues në raundin e parë.
Ndërsa, në plot 17 Komuna, qytetarët do të rikthehen sërish në votime, pasi që asnjëri nga kandidatë nuk arriti të siguroj shumicën absolute.
Ndër komunat që do të shkojnë në balotazh janë edhe disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën e Gjakovën e Mitrovicën e Jugut.
Në kryeqytet, sipas rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orët e pasdites, kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka 33,76% kurse Hajrullah Çeku rreth 33,05%.
Edhe në qytetin historik të Prizrenit do zhvillohet një raund i dyte votimesh. Kësisoj Shaqrit Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në garë me Artan Abrashin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Një nga garat më të ngushta është ajo në Mitrovicën e Jugut. Arian Tahiri nga PDK ka marrë 47.89 për qind të votave, ndërsa kandidati i LVV-së Faton Peci, vetëm 0.09 për qind më pak – 47.80 për qind të votave. Vetëm 28 vota i ndajnë këta dy kandidatë.
E Lidhja Demokratike e Kosovës ka udhëhequr Fushë Kosovën për 25 vite me radhë, por që kësaj radhe nuk doli te jetë e para. Kjo meqë, Valon Prebreza i LVV-së ka marrë 45.14 për qind të votave, kundrejt Besnik Osmanit të LDK-së që ka siguruar 36.62 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në balotazh me LVV edhe në Komunë e Pejës. Gazmend Muhaxhiri ka marrë 46.11 për qind të votave, përballë Taulant Kelmendit LVV që ka siguruar 27.88 për qind. Ani pse në garë ishin 9 kandidatë.
Sipas rezultateve preliminare, Gjilani gjithashtu do të shkojë në balotazh. Alban Hyseni i LVV-së ka marrë 49.79 apo 21,463 për qind të votave, shumë afër fitores në raundin e parë. Ai do të përballet me kandidatin e PDK-së, Arbër Ismajli, i cili siguroi 34.24 për qind apo 14,761.
Kurse në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 47.74 për qind të votave, përkatësisht 18 mijë e 893 vota. Kundërshtari i tij më i afërt, Ardian Gola nga LVV, siguroi 32.82 për qind, apo 12 mijë e 989 vota.
Krahas komunave të lartë përmendura raund të dytë të zgjedhjeve do ketë edhe në Suharekë. Në Suharekë, Bali Muharremaj nga AAK-ja udhëheq me 45.70 për qind, ndërsa pas tij është Ardian Shala i LDK-së me 31.65 për qind.
Se balotazhi mund të përmbys rezultate e tregoi për televizionin monitoruesi i këtyre zgjedhjeve, Kenan Gashi nga “Avonet”.
“Këto zgjedhje janë paraqitur me diferencën me atyre që ne i kemi parë dhe i kemi vlerësuar, port ë njëjtën kohë praktikat kanë treguar që rezultate të tilla të kemi në vazhdimësi, por standardet me të cilat janë praktikuar kanë treguar se nëse një fitues do të del mund të humbas në balotazh. Një rast i tillë ka qenë në Prizren para katër vitesh kur ka qenë Mytaher Haskukaj, fitues i pari kurse i dyti ishe Shaqir Totaj ka fituar në balotazh e në tani e kemi një situatë të tillë, mes Shaqir Totaj dhe Artan Abrashi ku mund të ndodh një befasi në raste të tilla”, ka vlerësuar ai.
Në balotazh janë edhe komunat si ajo e Obiliqt, Rahovecit,Vitisë, Vushtrrisë, Junikut, Dragashit, Klinës dhe Kllokotit.
Këto rezultate të zgjedhjeve janë duke mos përfshirë votat me kusht dhe ato të diasporës.