Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zhurmat dhe piskamat ndaj Lëvizjes vetëvendosje nuk po e dëmtojnë partinë që udhëheqë ai por, po dëmtohet shteti.
Duke folur edhe sot për çështjen e presidentit, Kurti deklaroi se nëse vendin shkon në zgjedhje Kosova do të humbë dhjetëra miliona euro .
Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri pas përurimit të transformimeve në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionoj Kuvendi do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet, nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja…unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputet është e domosdoshme që të merremi vesh unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare …..11’45Pas aktgjykimit u takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi që të takohemi LDK ia kam bërë dy oferta njërën për bashkëqeverisje tjetër për rrokadë në kryesinë e kuvendit pastaj PDK për rokadë në kryesinë e Kuvendit por thjeshtë nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është dëm i madh për shtetin e Kosovës ”, ka thënë Kurti.
Sipas tij “zhurmat dhe piskamat” e opozitës nuk po e dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje, por shtetit dhe buxhetit të shtetit.
“Tema kryesore, të nderuar gazetarë, para një viti ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit, sepse është konfliktuoze, është përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve dhe shtetndërtimi demokratik në Kosovë. E patët linçuar edhe stigmatizuar Albulena Haxhiun, gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot pas një viti? Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit. Albulena Haxhiu është edhe ushtruese e detyrës së presidentit. Dhe Albulena Haxhiu nuk është as konfliktuoze, as përçarëse. Prandaj të gjitha këto zhurmat e piskamat që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë duke na bërë dëm neve, se ne prapë po mbërrijmë aty. Janë duke i bërë dëm shtetit, duke i humbur edhe buxhet, edhe kohë”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka ofruar dyfish më shumë se sa partnerit të saj partisë Guxo.
Sipas tij kur dikush thotë se nuk bënë Vetëvendosja nuk duhet ta ketë presidentit është duke thënë se nuk bën Glauk Konjufca.
“Merreni me mend, mazhoranca i ka 66 deputetë. 66 deputetë. Partisë që i ka 15 deputetë, i kam ofruar të bëhet kryetari i tyre zëvendësi im, që i bie në mungesë time ai t’i udhëheqë mbledhjet e qeverisë. Dhe katër ministri. Pra, Lidhjes Demokratike të Kosovës unë i kam ofruar dyfish më shumë sesa partisë Guxo. Partia Guxo ka garuar bashkë me mua, e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfish më shumë. Katër ministri. Edhe u refuzua. U tha që nuk bën Vetëvendosja t’i ketë të tri pozitat, por ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po Vetëvendosja nuk duhet ta ketë presidentin, po ma gjeni një njeri më të mirë se Glauk Konjufca që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që nuk bën Vetëvendosja, është duke thënë nuk bën Glauku. Ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun? Ose nëse nuk e votojnë Glaukun, pse nuk propozuan asnjëherë ata ndonjë emër”, deklaroi ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se partitë opozitare nuk i kanë as nënshkrimet për të propozuar një emër për president. Ai propozon që opozita ta ketë një kandidat jashtë skenës politike dhe të ecet përpara.
“Unë e di që nuk i kanë numrat as për të aplikuar. Se për të aplikuar me kandidat për president të duhen 30 nënshkrime. LDK-ja i ka 15 deputetë, pra vetëm gjysmën e nënshkrimeve për aplikim, lere më për fitim. Ndërkaq PDK-ja i ka 22 deputetë, pra nuk e plotëson kushtin as për aplikim. Por nëse do të bëheshin këto bashkë, do ta kishin një kandidat. Le t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve: një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe le të ecim përpara. Mirëpo më shumë se kjo, çfarë mund të bëjmë? Ne duhet të qeverisim. Rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshon dot”, tha ai.
Vetëm edhe gjashtë ditë kanë mbetur nga afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje politike në këtë drejtim. Tashmë partitë opozitare janë deklaruar se më nuk do të takohet me kryeministrin, Albin Kurti sa i përket çështjes së presidentit.










