Dënimi edhe kësaj radhe iu shqiptua në emër të popullit të Kosovës.
Kështu këtë të martë, Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin me gjithsej 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht.
Mirëpo, me këtë vendim nuk u pajtuan qytetarët, përfaqësues të partive politike e familjarë.
Driton Ajazi, bashkëpunëtor i Hashim Thaçit, ka thënë se padrejtësia ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të marrë fund sa më parë.
“Ashtu siç e tha edhe presidenti kjo është padrejtësi, jo politikë, padrejtësia ndaj çlirimtarëve tonë është duke vazhduar dhe kjo duhet të marrë fund sa më parë, sepse ata nuk kanë bërë asnjë krim. Çdo ditë që i mbajnë peng aty është një padrejtësi që vazhdon tash e gjashtë vjet”, ka thënë Ajazi.
Si të padrejtë po e shohin vendimin edhe qytetarët e tjerë.
“Unë e kam humbur besimin nuk i besoj asaj gjykate, as Apelit as askujt tjetër. Kjo është gjykatë politike, serbe, fashiste, gjithçka është vetëm gjykatë nuk është. Këtu gjithçka ka tjetër vetëm drejtësi nuk ka, kur Smith ka qenë këtu me mision ka thënë që shqiptarët qenkan shtazë e duhet me i zbut, çka pret prej atij njeriu”, u shpreh një qytetar.
Ndaj këtij vendimi reagoi edhe Qeveria e Kosovës.
“Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet ne reagimin e Qeveris.
E pas këtij aktgjykimi reagime kishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”, ka thënë djali i ish presidentit Hashim Thaçi.
Ky vendimi i Hagës nxiti reagime edhe në skenën politike të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur të papranueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara.
“Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë …Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, ka thënë Çitaku.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës pati reagime lidhur me aktgjykimin.
“Haga dhe Dhomat e Specializuara, u vendosën mu për shkak të pengimit të drejtësisë dhe dëshmitarëve. Në të vërtetë, nuk ka ndodhur, por është dioptria europiane se si e sheh Republikën e Kosovës në administrimin e politikave të brendshme, të paaftë dhe jo garantuese!”, ka reaguar Haziri.
Ndërkaq, reagim pati edhe nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili kërkoi që institucionet e Kosovës të mos mbeten vetëm spektatore.
“Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj gjykate”, ka reaguar poashtu Limaj.
Ndryshe, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj u dënua me 12 muaj burgim, Fadil Fazliu u dënua me 12 muaj burgim, Hajredin Kuçi u dënua me 1 muaj burgim me kusht si dhe Isni Kilaj u shpall i pafajshëm dhe u lirua.






