Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në rastin që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në reagimin e saj, presidentja ka theksuar se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në përputhje me juridiksionin e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe të respektojë të drejtat e garantuara me Kapitullin II të saj, si dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të përfshira në Nenin 22 të Kushtetutës.
Ajo ka theksuar se çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore.
Sipas presidentes, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve në proces.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Presim që në këtë frymë të veprojnë edhe Dhomat e Specializuara, si dhe që çdo proces gjyqësor dhe ushtrimi i të drejtës për ankim të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë”, thuhet në reagimin e presidentes.
Në fund, presidentja ka theksuar se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore./teve1.info/




