Nga Ukraina e cila është në luftë, presidenti Volodymyr Zelensky tha se humbja e Mbretëreshës është humbje për botën.
“Kjo është një humbje e rëndë për Evropën dhe mbarë botën. Në emër të popullit ukrainas, i shpreh ngushëllimet familjes mbretërore, gjithë Mbretërisë së Bashkuar, dhe vendet e Commonëealth”, tha kreu i Ukrainës.
E i pari i Amerikës, Joe Biden, me anë të një deklarate për shtyp tha se Trashëgimia e Elizabeth II do të duket e madhe në faqet e historisë botërore.
“Madhëria e saj Mbretëresha Elizabeta II ishte më shumë se një monarke. Ajo përcaktoi një epokë. Trashëgimia e saj do të duket e madhe në faqet e historisë britanike dhe në historinë e botës sonë”, tha Biden.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, në librin e ngushëllimeve në ambasadën britanike në Paris, nderoi mbretëreshën Elizabeth II.
“Këtu në Parisin, të cilin ajo e donte aq shumë. Pikëllimi i bashkatdhetarëve tanë është i pamasë. Për shtatëdhjetë vjet, Elizabeta II ishte një mbretëreshë e trimërisë dhe një mike e Francës”, u shpreh Macron.
E nga Kosova, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shprehën ngushëllimet e tyre për humbjen e Mbretëreshës 96 vjecare.
“Madhëria e saj, Mbretëresha Elizabeth II ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme që ia kushtoi jetën shërbimit për vendin e saj”, tha Osmani.
Ngushëllime shprehu edhe kryeministri Kurti.
“Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira. U prefsh ne paqe”, tha Kurti.
Mbretëresha Elizabeth II kaloi më shumë se shtatë dekada në fron ndërsa Britania e Madhe u rindërtua nga lufta, humbi një perandori, transformoi ekonominë e saj dhe hyri e u largua nga Bashkimi Evropian.
Pas vdekjes së saj, Princi Charles u bë automatikisht mbret dhe do të njihet si Mbreti Charles III./Tëvë1/










