34 familje të komuniteteve jo shumicë, gjatë ditës së martë u bënë me kulm mbi kokë.
E në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ardhjes së tij iu gëzuan banorët në këtë lagje.
Kurti u shpreh se dorëzimi i këtyre çelësave u kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur.
“Dorëzimi i këtyre çelësave sot përfaqëson dy arsye të tjera për festim, e para është se hapja e dyerve të këtyre apartamenteve na kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur. Në strategjinë tonë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre nga që Qeveria jonë e miratoi para katër muajve, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive dhe për familjet që kanë jetuar në qendrën kolektive Padalishte në disa raste më shumë se 20 vite, dita e sotme paraqet fundin e një udhëtimi i gjatë pasi ata më në fund po vendosen në një shtëpi të përhershme”, tha Kurti.
E i gjithë ky projekt u realizua edhe falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.
“Në kuadër të këtij projekti në total kemi mbështetur 56 familje të komuniteteve joshumicë të cilat jetojnë në kushte të vështira. Përveç 34 banesave të reja që po i përurojmë sot, kemi rinovuar edhe një kompleks tjetër banesor social në Komunën e Graqanicës, me ç’rast janë përmirësuar kushtet e jetesës së 22 familjeve. Përveç asistencës për strehim, projekti ofroi pajisje të reja shtëpiake, ushqime, pako jo ushqimore, lidhje të nevojshme infrastrukturore, gjenerim të të ardhurave akses në shërbimet sociale dhe zbukurim të zonave të përbashkëta. Ky projekt është pjesë e përkushtimit më të gjerë të BE-së ndaj Kosovës, komuniteteve joshumicë”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog
Prezent në këtë ceremoni ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ai tha se 34 banesat e ofruara nga ky projekt janë për 83 persona.
“Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëpunim me në këtë rast para së gjithash me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe gjithë ashtu në bashkëpunim për Zbatimin me Dr.C dhe UNHC kemi filluar ndërtimin e objektit në tetor të vitit 2022. Ku janë siguruar 34 njësi akomoduese për 83 persona, gjithashtu për çdo familje, Ministria ka siguruar gjithashtu në bashkëpunim me Dr.C., pajisje elektrike, mobilie si dhe pako ushqimore qe sigurisht ne fillim do t’ua lehtësojnë jetën këtyre familjeve, këtyre banorëve, ju nuk ju është siguruar vetëm kulmi mbi kokë, ju është sigurua edhe hapësira për rekracion dhe pres që të ndihmojmë, ashtu siç tha kryeministri pas ndeshjes së basketbollit, që përfundimisht ta rinovojmë edhe oborrin”, tha Rashiq.
Në këtë lagje të kësaj komune, është bërë ndërtimi i dy ndërtesave banesore, i hapësirave komunale dhe i zonave rekreative.