Pas tre sezonesh të mbushura me emocione dhe përvoja te Interi, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani ka zyrtarizuar largimin e tij nga klubi zikaltër për t’u bashkuar me Torinon.
Lajmin e ka konfirmuar vetë lojtari përmes një mesazhi emocional të publikuar në rrjetet sociale, ku ka përshëndetur tifozët dhe ka falënderuar klubin për gjithçka.
Ai shprehet se fanella zikaltër ka qenë një ëndërr fëmijërie për të dhe se çdo dalje në fushën e “San Siros” e ka përjetuar me krenari dhe përgjegjësi.
“Të dashur tifozë të Inter, ka ardhur koha të themi lamtumirë dhe më besoni, nuk është e lehtë të gjesh fjalët e duhura“, shkruan Asllani.
“Falënderoj Inter që më dha mundësinë ta bëj këtë ëndërr realitet. Një falënderim i veçantë për shokët e mi të ekipit, të cilët nuk ishin thjesht një ekip, por një familje e vërtetë, dhe për të gjithë stafin që më mbështeti në këtë udhëtim“, vijon më tej ai.
Me përkushtim, sakrificë dhe respekt, Asllani thekson se është përpjekur gjithmonë të nderojë fanellën e Interit.
Transferimi i tij në Torino shënon një kapitull të ri për mesfushorin e talentuar shqiptar, i cili kërkon më shumë hapësirë dhe një rol më të rëndësishëm në Serie A.