Hugo Ekitike pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës, pas një sezoni mbresëlënës me Eintracht Frankfurt. Sulmuesi francez ka tërhequr interesin e disa prej klubeve më të mëdha në Liga Premier.
Ndërsa Kupa e Botës për Klube po zë vendin e saj në qendër të vëmendjes, prapaskenat e merkatos vazhdojnë të lëvizin. Klubet angleze kanë nisur kontaktet për të siguruar përforcime para fillimit të sezonit të ri.
Ekitike, është shndërruar në një nga lojtarët më të kërkuar të repartit ofensivë në treg. Forma e tij në Bundesliga ka bërë që klubet e mëdha të lëvizin për të.
Aktualisht, po përflitet një garë e fortë mes Liverpoolit, Manchester Unitedit dhe Chelseat për shërbimet e tij. Në këtë garë është futur edhe Arsenali, që e ka përfshirë Ekitiken në listën e ngushtë të objektivave.
Mikel Arteta e sheh francezin si një zgjidhje të mundshme për sulmin, krahas Benjamin Sesko të Leipzigut dhe Viktor Gyökeres të Sportingut që janë në listën e dëshirave.
Eintracht Frankfurt nuk ka ndërmend ta shesë lirë yllin e tyre dhe ka vendosur një çmim të lartë për kartonin e tij. Klubet e interesuara duhet të jenë të gatshme të shpenzojnë shumë për të bindur gjermanët.
Pavarësisht konkurrencës, Ekitike duket i vendosur të ndërmarrë hapin e radhës në karrierë, dhe Liga Premier është destinacioni më i mundshëm për sulmuesin francez këtë verë.
Frankfurt nga ana tjetër synon që nga shitja e yllit francez të fitoj jo më pak se 80 milionë euro.
23-vjeçari e ka mbyllur sezonin e kaluar me 22 gola e 12 asistime në 48 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat dhe kjo ka bërë që ai të jetë në listën e top klubeve angleze.