Këtë të diel, thasët me thëngjill i sollën deri te dera e Qeverisë.
Por, vetëm thasët i morën me vete.
Deputetë dhe anëtarë të Rinisë së Aleancës e derdhën thëngjillin para hyrjes së objektit.
E pas tij, lanë edhe mesazhin.
Me këtë aksion simbolik, Aleanca kritikoi Qeverinë për gjendjen në sektorin energjetik, duke thënë se Kosova, pavarësisht pasurive të saj nëntokësore, vazhdon të blejë energji nga jashtë.
Për Aleancën, thëngjilli i derdhur para Qeverisë është simbol i asaj që e quajnë “terr energjetik”, por edhe i situatës politike në vend.
“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet”, tha Ramadani.
Ramadani kritikoi edhe shpenzimet për importin e energjisë, duke pretenduar se rreth një milion euro janë shpenzuar për blerje të rrymës nga Serbia dhe vende të tjera.
“Dhe është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 milion euro janë blerë rrymë në Serbi e vende të tjera, e prej kësaj ka përfituar askush tjetër përpos mafias energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën bashkë duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës, dhe nuk ka përgjegjësi as politike, as menaxheriale. E nëse gjatë këtyre viteve ka përfitu mafia energjetike prej territ energjetik, kush po përfiton prej territ politik. Pra është i njëjti koncept, pra e kanë pas, e kanë mbajtë dhe e kanë mirëmbajtë dhe e kanë ushqy terrin energjetik, tash kanë kalu në fazën tjetër që është terri politik”, tha ai.
Aleanca paralajmëroi se aktivitetet simbolike do të vazhdojnë dhe do të shtohen në numër e intensitet ditëve në vijim.






