Autor: Besarta Mehmeti
Njohësit e ekonomisë po e kritikojnë Qeverinë për mosshfrytëzim të parave. Ata thonë se vlera e këtyre mjeteve do të zhvlerësohet për 20% më pak dhe se mosinvestimi nga ekzekutivi ka humbur shpresën për ndryshim.
Profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa për Teve1.info dha kritika për mosshfrytëzim të thesarit nga Qeveria, teksa tregoi efektet negative që ka.
“Efekti i parë negativ është se çdo tërheqje e parasë nga qarkullimi dhe mbajtja e pashfrytëzuar ndikon në mënyrë recesive e ulë normën e rritjes së zhvillimit ekonomik. Dy, paraja në kohën e inflacionit, ulet vlera d.m.th në qoftë se kanë qenë 500 milionë 40% e inflacionit ose janë 200 milionë më pak, 400 milionë do të hyjnë punë mas këtij viti. Dhe e treta, vonohet ajo që ne kemi pritur, po të ishte ndërtuar ndonjë shkollë ose spital apo rrugë, ajo i kish dhënë shërbimet për qytetarët, e kjo vonohet d.m.th këto janë ato dëmet e mëdha që janë për mosshfrytëzimin e buxhetit”, tha ai.
Mustafa deklaron se në tetor veçse ishte dashur që të dalë në diskutim buxheti për vitin 2023 dhe siç thotë ai, në këtë drejtim do të shihet nëse këto para do të shfrytëzohen.
“Do të shfrytëzohen, por në vend të 600-700 milionëve vlera e tyre do të jetë 20 për qind më pak”, deklaroi ai.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një përgjigje për Teve1.info ka thënë se 700 milionët e pashfrytëzuara nga buxheti është brengë që duhet t’i prek në ndërgjegje shumë politikanë.
Sipas tij, paraja e mosshfrytëzuar në këtë kohë të inflacionit rëndon edhe më tepër aspektin ekonomik të qytetarëve dhe dëmton sektorin privat.
“Ajo që duhet të na shqetësojë është ngritja e çmimeve në mënyrë permanente dhe atë çka e kemi blerë vitin e kaluar me 100 euro, sot nuk po mjaftojnë 200 euro dhe në këtë drejtim një ndër brengat kryesore është mosshfrytëzimi i buxhetit për investime kapitale për vitin 2022. Vet fakti që i kemi të pashfrytëzuara afër 700 milionë euro është vërtetë një brengë e cila duhet t’i prek në ndërgjegje shumë politikanë se nuk është e tepërt të kërkohet arsye pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha ai.
Ekonomisti shton se kur nuk krijohet mundësia për vende të reja të punës, nuk duhet habitur ikja e të rinjve nga vendi. Sipas tij, është shuar shpresa se në Kosovë mund të ketë perspektiv.
“Buxheti për funksionimin e shtetit bëhet nga komuniteti i bizneseve nga sektori privat dhe në qoftë se e kemi një ngulfatje të tillë, kur nuk ka projekte kapitale për arsye se fitojnë ata që janë të afërt me politikë apo parti të ndryshme opozitare është një dëm që i bëhet Kosovës. Në këtë drejtim besoj që përmes një ndëshkimi të tillë të sektorit privat po tenton edhe qytetarët e në veçanti po ngulfatet mundësia për të krijuar vende të reja të punës. Nuk duhet të na habit fakti pse kemi ikje permanente nga Kosova, sepse vërtetë është shuar shpresa se këtu mund të jetohet dhe të ketë perspektiv”, tha ai për Teve1.info
Gërxhaliu thekson se në qoftë se 700 milionët e humbur në këta muaj llogariten në 12 vite kalendarike, është kosto që do të mund të ndërtohej një projekt kapital në interes të vendit.
Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se ekonomia nuk bëhet për hatër apo inate, duhet të ketë mbështetje dhe partneritet.
“Është koha për veprim, është koha kur të ketë dialog publiko-privat, është koha kur duhet të kthehet besimi në sektorin privat, të ndërtohen ura të komunikimit sepse nuk bëhet ekonomia për hatër apo inate, ajo është diçka shumë më e rëndësishme sesa inatet dhe për këtë nuk duhet ndëshkim por partneritet dhe mbështetje”, përfundoi Gërxhaliu.
Për mungesë të investimeve kapitale, Qeveria mori kritika edhe nga opozita.
Ndërkaq, nga Qeveria kanë bërë të ditur për Teve1.info se Ministria e Financave është duke e finalizuar projektbuxhetin për vitin 2023. Atë synojnë që ta procedojnë fillimisht për miratim në qeveri para fundit të këtij muaji, e pastaj në Kuvend sipas procedurave të parapara.