Aty ndodhet njëra prej pikave të ndaljes së autobusëve, e cila pothuajse çdoherë është e zënë nga taksitë ilegalë, dhe si rrjedhojë, autobusët detyrohen të ndalen midis rruge për të marrë udhëtarët, duke shkaktuar kështu kolona të gjata të automjeteve, pritje disa minutëshe e nervozizëm tek vozitësit, ndërsa ka pasur edhe raste të përplasjeve mes vete.
Qytetarët akuzojnë komunën, por sidomos policinë, për të cilët thonë se thjeshtë nuk duan të punojnë.
Gani Azemi, qytetar, ka akuzuar policinë për mos punë, duke thënë se një patrullë e tyre duhet të qëndrojë vazhdimisht te ky lokacion, në mënyrë që të zgjidhet ky problem.
“S’ka asgjë prej tyre, e sheh çfarë dallaveresh bëhen. Ku janë, tash kalova dhe shikova, nuk e gjen policinë aty, fajtorë kryesorë janë ata të cilët nuk i zbatojnë urdhrat.. Jo më shpesh, por një patrullë aty me qëndru, ne kemi policë mjaft, janë më shumë se 8 mijë. Këtyre herave as në kafene nuk kishe ku ulesh prej tyre”, theksoi Azemi.
Rafet Zeneli, një tjetër qytetar i Mitrovicës, ka fajësuar inspektoratin komunal dhe policinë, duke thënë se të dyja këto institucione janë përgjegjëse për këtë problem.
“Inspektorati i komunës dhe policia duhet me i rregullu këto punë…(Policia) s’po e kryn punën e saj, por duhet me kry”, tha ai.
Ndërkaq, Kushtrim Hasani, pronar i njërës nga kompanitë e transportit, thotë se ky është një problem që 20 vite, ndërsa fajëson inspektorët komunalë dhe komunën, për të cilët thotë se mund ta zgjidhin këtë kaos.
“Është një problem gati që 20 vite. Aty qëndrojnë taksitë ilegalë, ndërsa është shenja ku tregon se është vend parkim për autobusë. Kur shkoj aty për t’i marrë udhëtarët, 10 deri 15 taksistë janë aty të cilët parkohen, dhe ne po kemi problem sepse nganjëherë na lirojnë rrugën, nganjëherë jo. Ne po duhet me u ndal në rrugë dhe po shkaktojmë kolonë të automjeteve prapa. Kur të vjen policia ata largohen, si të shkojnë, ata kthehen prapë… Kaosi që ndodhë aty është me fajin e inspektorëve, Komuna mundet me zgjidhë këtë problem shumë lehtë, ose me ua caktu një vendparkim për ata që kanë licencë, ndërsa nëse nuk janë të licencuar, mos me i lënë me punu fare”, ka thënë Hasani.
Valon Brahimi, drejtor i Inspektoratit në Mitrovicë, u shpreh se përveç inspektoratit, përgjegjësi mban edhe policia për shkarkimin e komunikacionit, si dhe trajtimin e taksive ilegalë.
Ai ka pranuar se Inspektorati komunal ka stagnuar pak në këtë çështje, duke u arsyetuar në mungesë të inspektorëve të trafikut.
Sipas tij, situata e vështirë socio-ekonomike ka bërë që taksistët mos t’i binden institucioneve dhe ligjit.
Ai shpreson se brenda dy-tre viteve ky problem mund të zgjidhet, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë në mes tyre dhe policisë.
Brahimi: Ne besojmë se policia ka ndërmarrë veprime, por ankesat e qytetarëve flasin ndryshe
“Përveç Inspektoratit komunal, obligime për mirëmbajtjen dhe shkarkimin e komunikacionit, po ashtu edhe trajtimin e taksive ilegalë, ka kompetencë edhe policia e Kosovës. Ne besojmë se policia ka ndërmarrë disa veprime, por ankesat e qytetarëve flasin ndryshe, dhe përkundër faktit që ne kemi vlerësim pozitiv për punën e policisë, realisht mendoj se duhet bërë akoma më tepër në kuptimin e asaj që të zbatojë në përpikëri ligjin për trafikun rrugor. Ndërkaq, edhe ne si inspektorat mendoj se kemi stagnuar pak në këtë aspekt, por duke pasur parasyshë mungesën e inspektorëve të trafikut rrugor, për faktin se funksionojmë me vetëm dy inspektorë, na paraqiten probleme në terren… Situata e vështirë socio-ekonomike ka bërë që taksistët të mos jenë të bindur ndaj institucioneve dhe ligjit, por ne mendojmë se me një bashkëpunim të ngushtë mes policisë dhe inspektoratit komunal mund të arrihet zgjidhje, ndoshta jo Brenda një viti, por brenda dy ose tre viteve do të kishte pasur mundësi me u zgjidhë ky problem”, u shpreh drejtori Brahimi.
Në anën tjetër, përfaqësues të policisë rajonale në Mitrovicë, të cilët zakonisht nuk preferojnë të flasin para kamerës, në një përgjigje përmes postës elektronike drejtuar KosovaPress-it, nuk i konsiderojnë parkime të parregullta taksitë ilegalë, të cilët parkohen në një lokacion që edhe me shenjë i dedikohet autobusëve dhe jo atyre.
Policia e quan ndalim i përkohshëm të autotaksive të cilët qoftë edhe përkohësisht, mbi 50 herë në ditë krijojnë kolona të gjata dhe kaos në trafik, duke mos ndërmarrë asnjë masë ndaj tyre.
Për më tepër, në përgjigjen e policisë tentohet t’i hidhet përgjegjësia krejtësisht inspektoratit komunal, edhe pse Ligji për rregullat e trafikut rrugor thotë se policia është kompetente për rregullimin e komunikacionit.
Ekipi i KosovaPress-it, ka qëndruar për disa orë të enjten tek ky lokacion ku ka pasur parkime të parregullta të automjeteve, por nuk ka vërejtur ndonjë masë ligjore të paraparë me dispozitat e ligjit për siguri në trafik, që është shqiptuar nga ana e policisë, edhe pse kanë qarkulluar vazhdimisht në këtë rrugë.
“Ju njoftojmë se në lokacionin të cilit ju i referoheni, nuk ka parkime të parregullta, mund të ketë ndalim të përkohshëm të autotaksive. Kurdo që policia has në ndalime të parregullta merr masat ligjore të parapara me dispozitat e ligjit për siguri në trafik. Kurse sa i përket çështjes se autotksistëve kjo çështje është kompetencë e inspektorëve komunal. Policia në vazhdimësi ka ofruar dhe vazhdon të ofroj asistim për inspektorët komunal”, thuhet në përgjigjen e policisë. /kp