Kjo është bërë e ditur në seancën e së premtes nga e akuzuara Hoxha, e cila ka thënë se ka pranuar vendimin se kërkesa e saj është refuzuar.
Megjithëkëtë, kryetari i Trupit Gjykues, Arben Hoti, ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nga Prokuroria Speciale lidhur me kërkesën e ish-ministres Hoxha për përjashtimin e prokurorit Paca.
Në seancën e 16 shtatorit, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit special Dren Paca, me arsyetimin se bashkëshorti i saj njihet me babain e tij, Agim Paca. Hoxha kishte thënë se këtë fakt e ka fshehur prokurori.
Në këtë rast, ish-ministrja Hoxha, Kushtrim Cukaj, ish-sekretar dhe tre të tjerë, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani, po akuzohen për korrupsion.
Ndërkohë, shqyrtimi gjyqësor po vazhdon me marrjen ne pyetje te dëshmitareve Dukagjin Abdyli dhe Osman Bytyqi.
Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison StrategiesLLC”.
Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.
Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.
Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.
Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj. /BetimipërDrejtësi