Analisti, Dardan Krasniqi ka deklaruar se Kosova nuk duhet t’u frikësohet pasojave politike apo diplomatike që mund të shkaktohen nëse këmbëngul në ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pavarësisht kundërshtimeve të faktorit ndërkombëtar.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Krasniqi është shprehur se qasja e deritanishme e Kosovës ndaj kërkesave dhe udhëzimeve ndërkombëtare nuk është shpërblyer, duke theksuar se vendi ka qenë tepër i kujdesshëm në raport me aleatët ndërkombëtarë.
Ai ka bërë të ditur se nuk mbështet përplasjen me partnerët ndërkombëtarë, por konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje konstruktive dhe këmbëngulëse, të mbështetur në argumente dhe dëshmi.
“Neve nuk duhet të na frikësojë kjo, sepse edhe të qenurit shumë i mirë nuk është që është paguar. Ne kemi qenë ajo pjesa tepër e butë në raport me sugjerimet dhe udhëzimet ndërkombëtare. Unë nuk jam që t’i shpallim luftë faktorit ndërkombëtar, sidomos aleatëve tanë, miqve tanë, të cilët mund të themi me plotkuptimin e fjalës janë edhe hisetarë të vetë shtetit dhe lirisë sonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se, ndonëse është i vetëdijshëm për kufizimet e fuqisë së Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar, kjo nuk duhet të jetë arsye për të hequr dorë nga iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Sipas Krasniqit, argumentet dhe dëshmitë që ai i konsideron të rëndësishme, përfshirë ato që sipas tij kanë burim në Serbi dhe janë përdorur në aktgjykimin përfundimtar, duhet të trajtohen si pjesë e përpjekjeve për vendosjen e drejtësisë.
“Jam i vetëdijshëm që fuqia jonë nuk është e mjaftueshme për të imponuar rregullat e lojës, mirëpo megjithatë janë disa gjëra që nuk mund të kapërdihen. Përtej presionit dhe tensionimit të raporteve që mund të vijnë si rezultat i kësaj, nuk e shoh të arsyeshme dhe të nevojshme, as të logjikshme që ne të zmbrapsemi nga kjo iniciativë, jo vetëm për Ligjin për Specialen, por edhe për të gjitha përpjekjet tona që të tentojmë të vëmë drejtësi për një çështje e cila u dëshmua që vetëm drejtësi nuk ka pasur”, ka thënë Krasniqi./teve1.info/









