Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për sot.
Jasharaj, i cili është edhe kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së ka thënë për KosovaPress se do të padisin ministrin e Financave, Hekuran Muratin për deklaratën e tij të djeshme.
“Kam bindjen, edhe pse nuk kam njohuri të duhura për këtë sferë, kam bindjen se padia do të jetë e adresuar ndaj ministrit Murati, i cili dje para mediave deklaroi atë kërcënimin e tij dhe besoj që ekspertët do ta kenë këtë adresë. Pra, padia do të jetë drejtpërdrejt ndaj ministrit Murati, por iu mbetet ekspertëve të gjejnë adresën e saktë. Por, nga bisedat që kam dëgjuar me ta, padia do të jetë e orientuar pikërisht ndaj ministrit Murati. Ngase ishte një deklaratë paraprake përmes internetit, e një sekretari, të cilën e kemi konsideruar si moment emocional, por kur ministri i Buxhetit e thotë këtë para mediave, tregon se ai e ka sinqerisht dhe pavetëdije mbase, po e bën një gabim të madh duke u munduar të ngufasë të drejtën elementare të të punësuarve në sektorin publik dhe të grevistëve”, bëri të ditur ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media të hënën tha se ligji, por edhe praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin t’i paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë.
“Praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin që të paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë. Besoj se si gazetarë dhe medie, po edhe sindikalistët mund të shikojnë dhe të gjejnë rastet në Evropë, siç janë Suedia, Norvegjia, madje edhe Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, pra kudo kur punëtorët hynë në grevë, grevistët mbulohen nga sindikata. Çdo sindikatë ka kontributet që mbledh nga anëtarët e saj dhe e krijon fondin për greva. Në këtë rast kur vendoset të hyhet në grevë, punëtorët kompensohen nga ai fond për ditët që nuk janë në punë”, ka deklaruar ai.