Ceremonia e nisjes së kontingjentit në këtë mision u zhvillua në prani edhe të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj dhe komandantëve të forcave.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë një mision të një rëndësie të madhe për Kosovën, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Pas tërheqjes dhe mbylljes së misionit në Afganistan, ne u angazhuam se do të vazhdojmë të rrisim pjesëmarrjen tonë në misione të NATO-s dhe ato ndërkombëtare në përgjithësi dhe ky është rasti. Ne po materializojmë shtimin e prezencës sonë në KFOR, për herë të parë çojmë në këtë mision, misioni “KFOR 1‘ një kontingjent special të djemve dhe vajzave më të mirë që ne kemi në FA. Në këto ditë të sfiduara të paqes dhe sigurisë globale kjo e shton dyfish e rrit vëmendjen, por edhe përgjegjshmërinë e secilit prej nesh e secilit prej jush për të shërbyer me profesionalizëm, me disiplinë ushtarake, me dinjitet në respektim të kodit të etikës dhe të vlerave të aleancës tonë”, – u shpreh ministri.
Duke folur për situatën e krijuar në Ukrainë dhe mesazhet e dhëna nga sekretari i Përgjithshëm i NATO, Stoltenberg, ministri Peleshi u shpreh se: “Asnjë inch i kësaj Aleance nuk mund të preket, sepse NATO është aleanca më e fuqishme ushtarake dhe politike në botë“. Duke iu drejtuar efektivëve që u nisën me mision, ministri i Mbrojtjes theksoi: “Punën tuaj atje do doja ta shikonit çdo ditë si një kontribut për paqen edhe sigurinë globale, si një kontribut për lirinë e qytetarëve tanë, e qytetarëve të botës, e qytetarëve të rajonit, sepse në 48 orët e fundit normaliteti siç e tha sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka ndryshuar; jemi në një normalitet të ri. Pra, në një mënyrë të njëanshme, një fuqi si Rusia hoqi dorë nga parimet që mbanin si shtylla rendin botëror dhe riktheu historinë pas, në kohën e sferave të influencës edhe pushtimit të një shteti më të dobët nga një shtet më i fuqishëm. Ne duhet të jemi të vëmendshëm, duhet të jemi vigjilentë, duhet të jemi me dinjitet përkrah aleatëve tanë dhe ta bëjmë flamurin tonë të valëvitet krenar krahas flamujve tjerë të Aleancës.”
Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj tha se: “Misione të tilla kanë përgjegjësi edhe për shkak të situatës pandemike, por aktualisht, e veçanta përcaktuese është situata shumë e turbullt e sigurisë që po zhvillohet dhe po precipiton në përshkallëzime të rrezikshme dhe tejet kërcënuese në Krahun Lindor të Aleancës. Siguria globale është më shumë se kurrë ndonjëherë e rrezikuar dhe e kërcënuar. Rajoni dhe vendi ynë nuk janë imunë ndaj këtyre veprimeve të Rusisë. Ndaj në këto situata të nxehta ju do të jeni atje për një kuptim të madh që bëhet edhe më kuptimplotë dhe domethënës, për sigurinë, lirinë, paqen, për t’i shërbyer Aleancës dhe vendit tonë“, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.
30 efektivët Komando do të shërbejnë në këtë mision krah aleatëve kroatë dhe italianë.