Sipas saj, “disa” kanë mbetur në botëkuptimet e vitit 1999, pra nga mënyra se si e shohin ndërkombëtarët Kosovën e Serbinë.
Çitaku tutje tha se Brukseli dhe Uashingtoni ka pritje që Kosova të sillet përgjegjshëm.
“Aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar. Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Nënkryetarja e PDK-së shkruan se përveç Kosovës, as Serbinë më nuk e shohin njëjtë si para 23 vitesh.
“Kur e shohin Serbinë nuk e shohin një shtet të cilin duhet luftuar. E shohin një shtet i cili sot është problematik, por potencialisht partner, dhe të cilin duan ta ankorojnë kah perëndimit”.
Shkrimi i plotë i Çitakut:
“Gjërat duhet parë ashtu siç janë, e jo ashtu siç ne do të donim të ishin. Disa prej nesh kemi mbetur peng i botëkuptimeve të farkëtuara në vitin 1999. Mirëpo, askush, as në Ëashington D.C e as në Bruksel nuk e sheh rajonin me thjerrëzat e dy dekadave më parë. Aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar. Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë. E shohin një prej demokracive më vibrante në rajon, dhe presin nga ne të sillemi përgjegjshëm. Kur e shohin Serbinë nuk e shohin një shtet të cilin duhet luftuar. E shohin një shtet i cili sot është problematik, por potencialisht partner, dhe të cilin duan ta ankorojnë kah perëndimit. Bota ka ndryshuar shumë nga viti 1999 dhe nuk ka asnjë apetit për tu marrë me menaxhim krizash në rajonin tonë. E ne si Kosovë e kemi një mundësi të artë me Biden në Shtëpi të Bardhë, meqë Presidenti Amerikan ka një kujtesë dhe angazhim personal në rajonin tonë. Mirëpo, kjo mundësi duhet shfrytëzuar konstruktivisht, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa, e jo duke shkaktuar probleme artificiale”.