Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në urimin e tij, Tërnava ka shprehur bindjen se Presidentja e re, me përvojën dhe përkushtimin e saj, do ta ushtrojë këtë përgjegjësi me dinjitet dhe do të kontribuojë në forcimin e institucioneve dhe ruajtjen e unitetit institucional e politik.
“Me ndjesi të veçanta përgëzoj akademiken Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tërnava.
Ai ka përgëzuar edhe subjektet politike për arritjen e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentes, duke vlerësuar se kjo marrëveshje i ka dhënë vendit stabilitet institucional.
Tërnava ka përshëndetur gjithashtu miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur pritjen që nga ky proces të ketë drejtësi.
Në urimin drejtuar Presidentes Shiroka-Pula, Myftiu Tërnava ka theksuar se ajo do të ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin e sinqertë të Bashkësisë Islame të Kosovës.
“E nderuar Presidente, në misionin tuaj fisnik dhe në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të larta shtetërore, do të keni mbështetjen dhe bashkëpunimin e sinqertë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj dhe timen si Myfti i Kosovës, gjithmonë në shërbim të së mirës së vendit dhe interesit të popullit tonë”, ka deklaruar Tërnava.
Në fund, ai i ka uruar Presidentes forcë dhe urtësi në përmbushjen e detyrës së saj shtetërore.
“Zoti ju dhëntë forcë e urtësi në përmbushjen e kësaj detyre dhe e bekoftë Kosovën e popullin e saj!”, ka përfunduar Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava./teve1.info/




