Pas akuzave të ashpra, kritikave ndaj njëri-tjetrit dhe deklaratave për një luftë eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, të enjten e 18 gushtit, përfaqësuesit e dy shteteve pritet të ulen përballë njëri-tjetrit.
Nëse gjithçka shkon sipas agjendës, kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do i vazhdojnë negociatat pas më shumë se një viti, në sy të nikoqirit të takimit, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell.
Për partinë e Ramush Haradinajt, Kurti duhet ta ketë të qartë një gjë: ose të tërhiqet nga pozita e kryeministrit, ose ta përfaqësojë Kosovën më mirë në negociata karshi Serbisë.
Për zyrtarët e partisë së Kurtit, vetë fakti qe zyrtarët serbë përdorin retorikë të ashpër karshi kryeministrit kosovar, tregon se ky është duke i mbrojtur interesat e Kosovës.
Alban Bajrami, deputeti i Vetëvendosjes, thotë se Kurti është kryeministri me përfaqësimin më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përve zyrtarëve të BE-së, ditëve të fundit rreth dialogut Kosovë-Serbi, janë aktivizuar edhe zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ka telefonuar kryeministrin Albin Kurti, duke ia përcjell edhe porositë e sekretarit, Antony Blinken.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, një ditë para takimit, ritheksoi se presin koncesione si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ana e Serbisë.
Raporti i gazetarit Arton Rama.