Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të pandehurve: AS, EB dhe AB është ngritur aktakuzë për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S., në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në subjektin afarist “NEPTUN”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1€”,thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, ndaj të akuzuarve është ngritur aktakuzë edhe për dëmtim të klientëve përmes kartelave bankare.
“Ndërsa, të pandehurit A.S. dhe E.B., në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, në atë mënyrë që i pandehuri A.B., në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në lokalin e lartcekur ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të dëmtuarës, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare të cilën e kishte përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, përmes e-mail adresave dhe llogari të tjera, të cilat ia kishte siguruar i pandehuri E.B., në këmbim të një shume të hollash/përqindje, ku pastaj i pandehuri A.S., kriptovalutat e krijuara në këto llogari më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro çka të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1.236.07€”,ka njoftuar Prokurori përmes një njoftimi për medie.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.