Bajram Kosumi ka folur për periudhën komuniste në Kosovë, duke vlerësuar se nga viti 1974 deri më 1981 vendi shënoi përparim në arsim, shëndetësi dhe elektrifikim, por se ky zhvillim, sipas tij, u shoqërua me përhapjen e ideologjisë jugosllave.
“Nuk ka asnjë dyshim që prej ’74-s e deri në ’81-shin Kosova ka bërë disa hapa përpara. Shkollimi, elektrifikimi, shëndetësia dhe do të ishte i marrë kushdo që provon t’i mohojë ato. Por ky zhvillim e ka një çmim dhe ky çmim është ideja e jugosllavizmit, e Jugosllavisë, jo e Serbisë”, ka deklaruar Kosumi.
Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se një pjesë e elitës politike të asaj kohe kishte besuar në idenë e Jugosllavisë dhe se shqiptarët nuk kishin alternativë tjetër përveç mbështetjes së këtij shteti.
“Ideja e vëllazërim-bashkimit ka ekzistuar vetëm te kokat e të verbërve në ish-Jugosllavi”, theksoi profesori Kosumi.







