Pritshmëritë fillestare ishin për një seancë të gjatë gjyqësore.
Për këtë edhe për fillimin e saj, u caktua ora 09:00 e paradites.
Por, të mërkurën, nuk ndodhi as e para dhe as e dyta.
Fillimisht, seanca nisi me vonesë.
“Seanca fillon në orën 09:30, fillon me vonesë për shkak që anëtarët e trupit gjykues kanë qenë në seanca dëgjimore për masa të paraburgimit, e dini që masa e paraburgimit është urgjente, janë afate me orë”, tha Fatime Dërmaku-gjyqtare.
Pas kësaj, fjalën e mori, avokati i mbrojtës i Fatos Abazit.
Mentor Neziri tha se gjendja shëndetësore e klientit të tij është e rëndë.
“Unë tash u informova edhe prej Fatosit, ky po tregon që e ka gjendjen shumë të rëndë shëndetësore, nuk ka mundësi që të prezantojë në këtë seancë, as ta përcjellë këtë seancë, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore”, tha ai.
Për gjendjen e tij shëndetësore, u deklarua edhe vet i akuzuari.
Gjyqtarja: A je keq me shëndet, s’ke pas nevojë me ardhë –
Fatosi: O, me një grip iu thashë, edhe në burg po më thanë duhet me ardhë
E avokati i Valdrin Ademit, që i takon grupit të “CAPAVE”, pati një sugjerim.
“Ndoshta e jep pëlqimin në mungesë me u vazhdu seanca, mos me na humbë ditën”, tha u shpreh avokati.
“Nuk është interes i gjykatës me vazhdu në mungesë të asnjërit të akuzuar, sepse veprat penale janë të rënda”, reagoi gjyqtarja Dërmaku.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykuese, Fatime Dermaku, mori vendim që seanca të shtyhet për datën 13 janar të vitit të ardhshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.






