Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, zhvilloi një takim në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Ai riafirmoi angazhimin e Katarit ndaj nismave diplomatike që synojnë arritjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon, njoftoi të martën Ministria e Jashtme e Katarit.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Sheikh Mohammed në Shtetet e Bashkuara, ku ai u takua gjithashtu me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Gjatë bisedimeve, kryeministri i Katarit ritheksoi “mbështetjen për të gjitha përpjekjet dhe nismat diplomatike që synojnë arritjen e një zgjidhjeje që garanton lirinë e lundrimit detar dhe hap rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që siguron paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Palët diskutuan gjithashtu mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë përpjekjet në vazhdim për uljen e tensioneve dhe rritjen e sigurisë rajonale, shtoi ministria.
Tensionet në rajon kanë mbetur të larta që prej 28 shkurtit, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit, duke nxitur sulme iraniane ndaj Izraelit dhe objekteve ushtarake amerikane në disa vende arabe.
Katari ishte ndër ndërmjetësuesit në përpjekjet e mëvonshme për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, negociatat ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa përplasjet kanë vijuar herë pas here që nga muaji korrik.









