Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas arrestimit të sotëm të edhe katër të dyshuarve të përfshirë në vrasjen e Arlinda Zekaj, tha se hetimet për këtë rast duhet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet, deri në zbardhjen e plotë të tij.
“Mirëpres çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë jo vetëm të kryesve, por edhe të të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi”, shkroi në Facebook, Sveçla.
Sipas tij, vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj, duke vënë në dukje se dënimi me burgim të përjetshëm i konfirmuar dje ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës është një dëshmi e rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla.
“Mbetem në mbështetje të plotë të institucioneve tona në zbardhjen e çdo rrethane dhe në vënien para përgjegjësisë të secilit që ka pasur dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda, përfshirë edhe ata që, përballë kërkesës së saj për të jetuar e sigurt, madje edhe në pronën e saj, kanë zgjedhur të qëndrojnë spektatorë në vend se të veprojnë për mbrojtjen e jetës së saj.
Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, shtoi Sveçla.








