Ukraina ka nevojë për të paktën 115 miliardë euro financim gjatë vitit 2027 për të përballuar luftën me Rusinë, deklaroi të hënën presidenti Volodymyr Zelensky.
Duke folur përmes videolidhjes në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Zelensky tha se Kievi po punon me partnerët evropianë për sigurimin e fondeve.
Sipas tij, Ukraina pret të përfitojë 90 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm, përmes dy pakove financiare të Bashkimit Evropian, por i nevojiten edhe 25 miliardë euro shtesë.
“Jam i bindur se do ta përmbushim këtë detyrë”, tha Zelensky, duke theksuar se vendi ka ruajtur stabilitetin financiar gjatë gati pesë viteve të luftës, me të paktën 100 miliardë euro financim në vit.
Ai kërkoi bashkëpunim më të ngushtë mes qeverisë qendrore, autoriteteve lokale dhe kompanive energjetike për riparimin e shpejtë të infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet ruse.
“Rusia është e përqendruar në sulme të përditshme, dhe pasojat e këtij terrori janë të dukshme për të gjithë, për mbarë botën”, deklaroi presidenti ukrainas, citon Anadolu.
Zelensky paralajmëroi gjithashtu për pasaktësi në raportimet e autoriteteve rajonale lidhur me dëmet dhe punimet e papërfunduara, duke kërkuar që qytetarët të marrin mbështetjen e nevojshme.
Ai njoftoi edhe një takim të ardhshëm me kryeministrin hungarez Peter Magyar në rajonin ukrainas të Zakarpatisë, duke e cilësuar vizitën si të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe dhe afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian.
Presidenti ritheksoi se Kievi mbetet i përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Moldavinë.











