Mantelbardhët u vendosën këtë të diel para Qeverisë së Kosovës.
Ata dolën për të ofruar konsulta mjekësore falas për qytetarët.
Por ky aksion erdhi në edhe formë të një proteste.
Përmes tij, mjekët e rinj po kërkojnë zgjidhje për problemet me të cilat po përballen.
Punësimi, konkurset transparente për specializime dhe pagesa e stazhit gjashtëmujor, janë disa nga kërkesat e tyre.
“E kemi vazhduar këtë aksion simbolik, ku në formë të protestës do të ofrojmë konsulta mjekësore falas për qytetarët e rastit. Këto konsulta ofrohen nga doktorët e papunë, të cilët domethënë nuk iu ka jep mundësia që t’u shërbejnë qytetarëve të vendit, ani pse vullneti dhe dëshira është shumë e madhe për të shërbyer në vendin tonë dhe për të kontribuar për qytetarët e këtij vendi, ngase kemi dëshirë që dijen që e kemi marrë nga shteti ynë t’ia kthejmë vendit tonë dhe të mos emigrojmë”, thotë Besfort Racaj-organizator i protestës.
Me këtë aksion, mjekët po duan të tërheqin vëmendjen për mungesën e mundësive të punësimit në institucionet shëndetësore.
Në mesin e protestuesve kishte edhe mjekë specialistë, të cilët tash e dy vjet kanë mbetur pa punë.
“Jemi specialistë të papunë, mirëpo mos të harrojmë që nuk është turp i madh nga ne specialistët që duhet, prioritet janë mjekët e rinj të cilët ende nuk janë distribuuar në specializime përkatëse. Pra ne e dimë dhe bashkëndjejmë, sepse rrugëtimin e tyre tashmë ne e kemi kaluar. Qëllimi është sa më i sinqertë që të bëhet një planprogram i mirëfilltë nga Ministria e Shëndetësisë që të bëhet një distribuim i mjekëve të papunë në të gjithë Republikën”, thotë Besfort Dabiqaj-specialist
Krahas konsulencave falas, qytetarët patën mundësi të nënshkruajnë edhe peticionin në mbështetje të kërkesave të mjekëve të rinj.
“Krejt qytetarët duhet me i përkrah këtë iniciativë të tyre që është shumë me vend. Pse me i detyru me shku. Duhet çmos me bo. Jam në gjendje edhe një kontribut më të madhe, edhe financiarisht që kërkohet prej meje jam në gjendje me iu ndihmu këtyre fëmijëve të mi”, thotë qytetari Agim Fushtica.
“Gjithqysh duhet me dal me i mbështet. Krejt me i mbështet, sidomos këta mjekë që po na ikin tash, mjekë që po na ikin prej Kosove, të rinjë”, thotë Naser Baholli-qytetar.
Përndryshe, u tha se do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.






