Banorët po detyrohen të ecin në vendin ku duhet të kalojnë veturat.
Krejt kjo si pasojë e mungesës së trotuarit në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë.
“Po duhet me ecë rrugës nuk po kemi çka me bo. Janë ndërtua banesat, e ato banesa janë ndërtuar pa planë nuk ka infrastrukturë qysh duhet e për atë edhe po duhet me ecë edhe rrugës. Me u pas ndërtua me plane këto, ishin bo edhe trotuaret”, deklaroi Fazli Llapashtica, qytetar.
E vështirësi për të kaluar në këtë rrugë, kanë edhe nënat me karrocat e fëmijëve.
“Mua më dhimbsen shumë këmbësorët që ecin se nuk ka trotuare siç po e shihni edhe kjo është e tmerrshme, kjo është problem jo vetëm këtu po në krejt lagjet e reja nuk ka trotuare si në lagjen “Velania”. Ka shumë pak trotuare këtu më që siç po e shihni nuk e di kush edhe si e ka planifikuar këtë rrugë. Po ka vend këtu, e në pjesën tjetër një trotuar i ngushtë, por kam parë edhe nëna me karroca me fëmijë që kanë ec rrugës”, tha Violeta Selimi, banore.
Kjo gjendje e krijuar në këtë rrugë të kryeqytetit, ka shtyrë banorët të dalin me një kërkesë.
“Trotuaret me i bë patjetër asnjë rrugë mos me u ndërtua në qoftë se nuk e ka të paparë trotuarin edhe mos me u lanë rrugët që nuk kanë trotuar mos me i lanë kerret me kalua se është vështirë”, shtoi Selimi.
E për realizimin e kësaj kërkese, banorët në këtë rrugë, duhet të presin ende.
Kjo për shkak se nga Komuna e Prishtinës, thonë se trotuaret këtu, nuk do të realizohen brenda këtij viti.
‘Kërkesat e banorëve janë plotësisht të arsyeshme dhe ne i kuptojmë shqetësimet e tyre. Megjithatë, mundësitë tona për këtë vit janë të kufizuara dhe intervenimi që do të realizojmë përfshin: Largimin e kubëzave ekzistuese, ngritjen dhe nivelizimin e pusetave ekzistuese, vendosjen e shtresës së zhavorrit si dhe asfaltimin e rrugës. Dëshiroj të theksoj se për këtë vit nuk kemi mundësi buxhetore dhe kontraktuale për realizimin e trotuareve apo punimeve të tjera shtesë”, deklaroi Zyhrije Pllana nga drejtoria e investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës.
Tutje, nga komuna thonë se gjatë vitit të ardhshëm do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm për hartimin e projektit të plotë të rrugës “Ndue Përlleshi”.






