Prangat i kishte të vendosura në duar, si i akuzuar se e shtyu për vdekjen të dashurën e tij, argjentinase.
Endrit Nika, betejën me drejtësinë për të herë të dytë, po e zhvillon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Për të dhënë më shumë dritë rreth rrethanave që çuan në vdekjen e argjentinases, Maria Clara Urdangaray, radhën për të dëshmuar e pati eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu.
Ai tregoi se pse Insitutiti i Mjekësisë Ligjore nuk ka raport të vetin nga vendi i ngjarjes.
“Sikur të kishte vdekur në vendin e ngjarjes, atëherë do ta kishim pasur raportin mjekësor prej ekipit tonë hetues të vdekjes, por në momentin kur viktima ndërron jetë në spital, atëherë këta tonët nuk dalin ën vendin e ngjarjes, por vetëm policia”, deklaroi Gërxhaliu.
E nga raporti i autopsisë që mjekoligjorët bën në IML, Gërxhaliu dha detaje të lëndimeve të evidentuara tek viktima.
“Në momentin e rënies, rënia në pelvik ka qenë kontakti i parë me dyshemen, dhe më pak kemi edhe përplasjen e kokës. Dhe pse ne kemi gjetë dëmtime edhe në kokë, nga aspekti mjekësor në këto raste krijohen tronditje të trurit”, theksoi Gërxhaliu.
Në trupin e viktimës, sipas ekspertit mjekoligjor kishte disa hematoma që i përkasin natës kritike.
“Bazuar në përshkrimin e hematomave, i kemi klasifikuar si të freskëta dhe se ngjyra e hematomave në pikën 6,7, 8 thuajse është e njëjtë edhe me ngjyrën e lëndimeve të përshkruara në pjesën e pasme të trupit, të cilat gjithashtu janë të shoqëruara edhe me hematomë. Marrë në përgjithësi, kur them të freskëta mund t’i takojnë natës kritike”, vlerësoi Gërxhaliu.
E në mesin e këtyre lëndimeve, mbrojtja e Endrit Nika, kërkoi të di nëse ishin evidentuar edhe lëndime vetmbrojtëse.
“Gjatë obduksionit, a keni pa dhe në raportin e obduksionit a keni shkru që e ndjera mund të ketë plagë vetmbrojtëse?” , theksoi Gashi.
“Nuk kemi konstatu”, potencoi Arsim Gërxhaliu.
Mbrojtja kishte bërë kërkesë për dalje në vendin e ngjarjes, për rikonstruim, mirëpo kjo u refuzua nga ana e trupit gjykues.






